Katër shtetas turq arrestohen në Prizren, dyshohet se sulmuan dhe mbajtën një person për 12 orë kundër vullnetit të tij

Katër shtetas të Turqisë janë arrestuar në Prizren, nën dyshimin për veprat penale “Shtrëngim”, “Privim i kundërligjshëm nga liria” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dyshuarit fillimisht e kishin sulmuar fizikisht një person, po ashtu shtetas turk, e më pas e kishin futur në një veturë dhe e kishin mbajtur për 12 orë kundër vullnetit të tij në një shtëpi private.
Rasti kishte ndodhur më 1 nëntor, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ndërsa katër të dyshuarit janë arrestuar më 9 nëntor, pas hetimeve të zhvilluara nga organet kompetente.
“Më 09.11.2026 pas hetimeve të zhvilluara janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj shtetas të Turqisë për shkak se të njëjtit fillimisht e kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull shtetas i Turqisë dhe pastaj e kishin futur në një veturë dhe e kishin mbajtur për 12 orë kundër vullnetit të tij në një shtëpi private. Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale është sekuestruar edhe një veturë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/





































