Shpërthim i fuqishëm në një uzinë çeliku në Turqi, 17 të vdekur dhe 12 të plagosur
Të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi në një fabrikë hekuri dhe çeliku pranë qytetit portual të Izmirit, në Turqinë perëndimore.
Viktimat dhe të plagosurit janë punonjës të uzinës Habas Demir Celik, në zonën e Aliagas. Sipas guvernatorit të Izmirit, shpërthimi ndodhi rreth mesditës, pasi një vinç që transportonte një kaldajë zëvendësuese u shemb dhe materialet ranë në furrën e shkrirjes.
Ministri i Shëndetësisë konfirmoi se një prej të plagosurve rëndë ndërroi jetë më vonë, duke e çuar bilancin në 17 viktima. Autoritetet paralajmëruan se mund të ketë ende persona nën rrënoja, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Kompania bëri të ditur se aksidenti ndodhi gjatë punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes në njërën prej furrave elektrike të uzinës. Sipas BBC-së, të paktën pesë persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, konfirmoi viktimat dhe bëri të ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




