Punësimi në sektorin bankar rritet përsëri, arrin nivelin më të lartë historik
Punësimi në sektorin bankar po rritet për të shtatin vit radhazi në 2026.
Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të muajit shtator bankat tregtare në vend raportuan 8007 të punësuar, në rritje me 2% që nga fillimi i vitit dhe me 7.5% krahasuar me një vit më parë.
Numri i të punësuarve në sektorin bankar ka arritur nivelin më të lartë historik, i mbështetur nga cikli pozitiv i sektorit në vitet e fundit, i karakterizuar nga një rritje me ritme të shpejta e kredisë, e aktiveve në përgjithësi dhe nga përmirësimi i performancës financiare.
Një ndikim ka dhënë edhe nisja e aktivitetit të bankave të reja tregtare. Jet Bank, që u licencua dhe nisi operacionet këtë vit, në fund të 9-mujorit 2026 raportonte 70 persona të punësuar. Ndërkohë, në këto statistika nuk përfshihen ende të dhënat e degës së Bankës Ziraat në Shqipëri, e cila nuk është anëtarësuar ende në Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Periudha e konsolidimit të sektorit bankar mes viteve 2015-2022 solli ulje të numrit të bankave aktive, nga 16, në 11. Përqendrimi shkaktoi dublime të pozicioneve të punës, por edhe të rrjetit të degëve, çka çoi në mënyrë të paevitueshme shkurtime të stafit. Por, megjithatë, efektet e kësaj faze konsolidimi në treguesit e punësimit janë tejkaluar.
Punësimi në sektorin bankar iu kthye rritjes që prej vitit 2020, ndërsa në vitin 2023 numri i të punësuarve në banka e kishte kaluar nivelin e vitit 2016, vit kur pati nisur cikli i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth 600 vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.
Rritja e numrit të të punësuarve është gjithashtu një dëshmi e faktit që dixhitalizimi në rritje i shërbimeve dhe produkteve bankare nuk ka ulur nevojën për burime njerëzore, por thjesht ka sjellë orientimin e tyre drejt pozicioneve të tjera.
Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës për procese bazike të lidhura me pagesat në degë, por po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si edhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit.
Edhe numri i degëve të sektorit bankar i është kthyer rritjes. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të 9-mujorit bankat raportuan 447 degë, nga 414 që kishte qenë numri i tyre një vit më parë. Megjithatë, rritja e numrit të degëve është kryesisht rezultat i përthithjes së institucionit financiar NOA nga Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank)./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










