Një ish-agjente e inteligjencës ruse ka zbuluar disa nga taktikat e pazakonta që, sipas saj, përdoren nga spiunët për të joshur objektivat dhe për të siguruar informacione sekrete. Aliya Roza, e cila e përshkruan veten si një ish-“spiune seksi”, pretendon se çelësi i suksesit ishte krijimi i një ndjesie familjariteti dhe besimi përpara se të niste afrimi i drejtpërdrejtë.
41-vjeçarja tregon se përpara se të aktivizonte teknikat e joshjes, shfaqej në jetën e një burri të paktën shtatë herë. Ajo mund të frekuentonte të njëjtën kafene apo palestër, ose të ndërvepronte vazhdimisht me postimet e tij në rrjetet sociale. Sipas saj, kur vinte momenti i takimit, objektivi kishte krijuar tashmë një ndjesi njohjeje dhe besimi.
Roza pretendon se metoda të ngjashme përdoreshin edhe nga agjentë të ngarkuar me infiltrimin në rrjetet e trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore.
E lindur në një familje me traditë të fortë ushtarake, me origjinë kazake dhe tatare në ish-Bashkimin Sovjetik, ajo thotë se është trajnuar në artet marciale, manipulimin psikologjik dhe teknikat e joshjes. Sipas saj, agjentët ishin të gatshëm të shfrytëzonin emocionet dhe dobësitë personale të objektivave për të marrë informacion.
“Duhet të manipulojnë objektivin, emocionet, ndjenjat e tij apo çdo gjë tjetër që mund të përdorin. Ata do të bëjnë çfarëdo që të jetë e nevojshme”, u shpreh ajo në një intervistë për New York Post.
Duke shpjeguar mënyrën se si funksiononte kjo strategji, Roza tha se agjentët shfaqeshin disa herë në të njëjtat ambiente me personin që kishin në shënjestër, përpara se të krijonin kontakt të drejtpërdrejtë.
“Shfaqesh në jetën e dikujt tjetër shtatë herë për herë të parë, për të qenë e saktë, përpara se të përpiqesh ta kontaktosh. Mund të shfaqesh në kafenenë e tyre, në palestrën e tyre, ose thjesht t’u pëlqesh vazhdimisht postimet. Kur më në fund takoheni, truri i tyre tashmë të beson”, rrëfeu ajo. Procesi, sipas saj, vazhdonte me shfaqje të tepruara interesi dhe vëmendjeje, mesazhe plot komplimente, selfie dhe fotografi provokuese. Një tjetër taktikë ishte paraqitja e vetes si një person i pambrojtur, i vetmuar apo në vështirësi ekonomike, me qëllim aktivizimin e instinktit mbrojtës të burrit.
“Ata pretendojnë të jenë të dobët ose të vetmuar: ‘Prindërit e mi u vranë, unë jam studente, nuk kam para’. Kjo aktivizon instinktin e heroit. Çdo burrë dëshiron të ndihet sikur është ai që do të shpëtojë një grua”, shpjegoi Roza.
Ajo përmendi gjithashtu të ashtuquajturën “teknika e qumështit”, përmes së cilës krijohej përshtypja e një njohjeje të përbashkët me objektivin, edhe pse lidhja në të vërtetë ishte e sajuar.
Në një intervistë për emisionin “Shawn Ryan Show”, ish-agjentja tregoi se teknikat e joshjes mund të shkonin edhe më tej, duke shfrytëzuar kujtimet romantike dhe preferencat personale të personave që synoheshin.
Ajo përshkroi rastin e një burri, i cili kishte pasur një tërheqje të veçantë ndaj një vajze me çorape të bardha, fund të shkurtër dhe gërsheta. Roza tha se, kur u prezantua me të, u kujdes të kishte një pamje të ngjashme me atë të vajzës që ai mbante mend. Sipas saj, kjo i krijonte burrit një ndjesi të menjëhershme familjariteti dhe e bënte më të lehtë afrimin emocional.
Roza pretendon se karriera e saj në shërbimet e inteligjencës përfundoi pasi identiteti i saj sekret u zbulua gjatë një operacioni kundër një bande ruse të trafikimit të drogës. Ajo akuzon një komandant të korruptuar se e tradhtoi, duke bërë që jeta e saj të vihej në rrezik dhe ta detyronte të largohej nga vendi.
Pas largimit, ajo nisi një jetë të re në Londër, ku u orientua drejt industrisë së modës. Ajo thotë se përfundoi studimet master dhe punoi për grupin botues Condé Nast në Britani, për revista të njohura si Vogue, Tatler dhe Vanity Fair. Sot, Aliya Roza prezantohet si konsulente për fuqizimin e grave, folëse dhe influencuese e modës, me më shumë se një milion ndjekës në Instagram.