Asambleja e PS të shtunën, zbulohet vendi ku Edi Rama do të mbledhë të tijtë, çështjet që do të diskutohen

10/11/2026 10:20

Partia Socialiste është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.

Burime nga selia rozë i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se kjo asamble do të mbahet të shtunën ora 10:30 në një resort në Gjirin e Lalzit. Gazetari Muhamed Veliu rendit çështjet kryesore që pritet të jenë objekt diskutimi nga kryesocialisti Edi Rama.

Kjo do të jetë një asamble ku fokusi do të jetë në përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 9 majit, përfshirë situatën me protestat, të cilat vazhdojnë, pavarësisht rënies së pjesëmarrjes.

Krahas mobilizimit për t’i fituar këto zgjedhje, pritet që Edi Rama të shpalosë mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve socialistë për kryebashkiakë.

Vlen për t’u parë nëse nga kjo asamble Edi Rama do të shpalosë idetë e tij se cila mund të jetë kandidatura perfekte për të fituar Bashkinë e Tiranës, më të madhen në vend.

Socialistët presin nga kjo asamble të dëgjojnë qëndrimet publike të kryetarit të PS-së për sa i përket Erion Veliajt, tashmë të vendosur publikisht në një kurs të fortë përplasjeje me Edi Ramën pas transferimit në burgun e Fierit.

Gjithashtu, mbetet për t’u parë nëse do të futet në rendin e ditës të kësaj asambleje mocioni i Elisa Spiropalit, ku i kërkon Edi Ramës hapjen e Partisë Socialiste dhe adreson nevojën e një “Marrëveshjeje të Re për Shqipërinë”.

Asamblenë e shtatorit 2023, Edi Rama e përdori për të shpalosur ndryshimin e gjysmës së kabinetit të tij qeverisës.

Mbetet tërësisht ekskluzivitet i Ramës nëse do ta përdorë Asamblenë e 14 nëntorit për ndryshime thelbësore në kabinetin e tij të katërt, në një kohë kur qeveria po përballet me një mori shqetësimesh të ardhura nga protestat, për të cilat kryeministri thotë se i ka mbajtur shënim dhe po adresohen.

Top Channel