Habit deputeti socialist: Ta shpallim hero atë që ka shkruar “The Albanian Files”
Deputeti i Partisë Socialiste, Skënder Pashaj, ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të pazakontë lidhur me hetimet mbi librin “The Albanian Files”, botimi që ka vënë në qendër të vëmendjes projektet turistike dhe ndërhyrjet e arkitektëve të huaj në territorin shqiptar.
Në vend që të ndalet te pikëpyetjet që kanë shoqëruar projektet e përfshira në këtë botim dhe te verifikimet e nisura nga organi i akuzës, Pashaj ka shkuar edhe më tej, duke deklaruar se autori i librit meriton të shpallet hero.
Një vlerësim që bie në kontrast me debatet e ngritura rreth përmbajtjes së botimit, ku dokumentohen projekte resortesh dhe ndërhyrjesh urbanistike në zona turistike të Shqipërisë, të cilat kanë rikthyer në vëmendje çështjen e shfrytëzimit të territorit dhe pasojat e zhvillimit të pakontrolluar.
Në këtë kontekst, deklarata e deputetit socialist duket se e zhvendos vëmendjen nga thelbi i çështjes. Një botim që përmban projekte konkrete arkitekturore dhe ndërtime të planifikuara në territorin shqiptar nuk mund të trajtohet thjesht si një vepër arti, aq më pak kur rreth tij janë ngritur dyshime që tashmë po verifikohen nga institucionet e drejtësisë.
Por përtej entuziazmit të shfaqur për “The Albanian Files”, qëndrimi i Pashajt ngre edhe një tjetër pikëpyetje mbi angazhimin e tij parlamentar.
Kur bëhet fjalë për diskutimin e projektligjeve, trajtimin e problematikave që shqetësojnë qytetarët apo çështjet me rëndësi publike, deputeti nuk shfaq të njëjtin intensitet dhe protagonizëm. Ndërsa në komisionet parlamentare, kur është fjala për të mbrojtur qëndrimet e qeverisë dhe linjën politike të kryeministrit Edi Rama, angazhimi i tij duket dukshëm më i vendosur.
Kështu, në një kohë kur çështja e territorit dhe e projekteve turistike kërkon transparencë dhe përgjegjësi institucionale, Pashaj preferon të vendosë në piedestal autorin e librit, duke e cilësuar hero, përpara se të marrë përgjigje pikëpyetjet që kanë shoqëruar këtë histori.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



