Nafta zbret pranë 90 dollarëve, pas sinjaleve të Trump për shmangien e sulmeve të reja ndaj Iranit
Çmimet e naftës vijuan rënien të martën, më 10 nëntor, duke iu afruar nivelit prej 90 dollarësh për fuçi, pasi presidenti amerikan Donald Trump sinjalizoi se nuk planifikon veprime të tjera ushtarake ndaj Iranit për momentin.
Nafta Brent, referenca ndërkombëtare e tregut, ra me 1.7%, në 90.99 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) humbi 1.8%, duke zbritur në 85.20 dollarë për fuçi, sipas Reuters, me të dhënat e orës 07:59 GMT.
Rënia pasoi një tjetër seancë me humbje të mëdha. Të hënën, Brent kishte humbur 5.85% të vlerës, duke arritur nivelin më të ulët që nga 31 gushti.
Trump deklaroi të hënën se do të pezullonte për momentin sulmet e reja ushtarake kundër Iranit, pas kërkesave të vendeve të rajonit, përfshirë Katarin. Megjithatë, presidenti amerikan bëri të ditur se bllokada detare në Ngushticën e Hormuzit do të vazhdojë.
Ngushtica mbetet një nga pikat më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të naftës, ndërsa sulmet ndaj anijeve tregtare në zonë nuk janë ndërprerë.
Tim Waterer, analist kryesor i tregjeve në KCM Trade, tha se investitorët po i japin përparësi tonit më pajtues të presidentit amerikan ndaj Iranit, megjithëse incidentet në transportin detar vazhdojnë.
Çmimi i Brent është tërhequr rreth 22% nga niveli prej 118 dollarësh për fuçi, që kishte arritur më 30 tetor, kur shqetësimet për përshkallëzimin e sulmeve amerikane ndaj Iranit ishin më të larta.
Ndërkohë, prodhimi i naftës nga vendet e OPEC u rrit gjatë tetorit, kryesisht për shkak të prodhimit më të lartë në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Irak, pavarësisht kufizimeve të vazhdueshme në eksporte.
Gregory Brew, analist i lartë në Eurasia Group, vlerëson se çmimet e Brent vështirë se mund të zbresin nën 90 dollarë për fuçi pa sinjale më të qëndrueshme të uljes së tensioneve dhe pa një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës pritet të zhvillojnë dy ditë negociata me ndërmjetësimin amerikan, të parat që prej shkurtit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









