Një spiune në shtrat, një miliarder në telashe dhe një luftë superfuqish

Jensen Huang, ylli i Silicon Valley, ka pranuar se e ka tradhtuar bashkëshorten e tij, Lori, duke rënë me një spiune në shtrat. Me të shoqen është njohur gjatë studimeve universitare. Kompania e tij po heton raportimet sipas të cilave ai mund të ketë qenë objektiv i shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Një spiune në shtrat

Jensen Huang, drejtori ekzekutiv miliarder i Nvidia-s, ka pranuar se ka pasur një lidhje jashtëmartesore me një grua që dyshohet se është spiune dhe se i ka përcjellë informacione Pekinit.

63-vjeçari, i renditur aktualisht nga Forbes si njeriu i tetë më i pasur në botë, ka kërkuar falje për tradhtinë ndaj bashkëshortes dhe ka deklaruar se merr “përgjegjësinë e plotë” për veprimet e tij.

Sipas raportimeve, Nvidia i ka shitur çipa të inteligjencës artificiale me vlerë afro 5 miliardë dollarë kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor, ku Alice Huang, gruaja me të cilën ai kishte lidhjen, kishte punuar më parë si drejtoreshë menaxhuese.

Bordi drejtues i kompanisë së prodhimit të çipave për inteligjencën artificiale ka nisur tashmë një hetim të pavarur mbi raportimet se Huang mund të ketë qenë “objektiv i një operacioni të shërbimeve të huaja të inteligjencës”.

E gjithë kjo ndodh në një kohë kur rivaliteti mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara vazhdon të intensifikohet, ndërsa të dyja fuqitë janë përfshirë në një garë të ashpër për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

The Independent ka analizuar figurat kryesore të këtij skandali, i cili vijon të marrë përmasa të reja.

Kush është Alice Huang, gruaja e dyshuar si spiune kineze?

Zyrtarë të shërbimeve amerikane të inteligjencës besojnë se Alice Huang, e njohur edhe me emrin Huang Le, është një spiune që punon për qeverinë kineze.

Pavarësisht mbiemrit të përbashkët, Alice Huang nuk ka asnjë lidhje farefisnore me drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s.

Ajo ka qenë më parë drejtuese në Megaspeed International, një kompani me seli në Singapor, e specializuar në qendrat e përpunimit të të dhënave dhe shërbimet kompjuterike në cloud.

Nuk dihet saktësisht se kur ka nisur lidhja mes tyre. Megjithatë, fotografi të të dyve, të realizuara në një bar në Taipei gjatë vitit 2024, janë publikuar më pas nga gazeta New York Post.

Sipas raportimeve të The New York Times, pikërisht rreth asaj periudhe Megaspeed nisi blerjen e mikroçipave të avancuar për inteligjencën artificiale, në një operacion me vlerë miliarda dollarë. Për shumë njerëz të industrisë, kjo lëvizje dukej se kishte ardhur krejt papritur.

Huang dhe Alice u panë gjithashtu duke dalë nga një restorant në Taipei në maj të vitit 2025.

Në transmetimet e drejtpërdrejta të asaj periudhe, Alice shfaqet e veshur me një fustan rozë dhe, me sa duket, duke e puthur Huang-un në faqe.

Alice Huang, një spiune në shtrat dhe dyshimet e inteligjencës amerikane

Sipas agjencisë AFP, kërkimet në internet tregojnë se Alice Huang ka punuar më parë në bankën HSBC, si edhe si gazetare për mediat kineze CCTV dhe Hunan TV.

Megjithatë, agjencia e lajmeve thekson se nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë këtë informacion.

The New York Times raportoi se një memorandum, i cili kishte qarkulluar vitin e kaluar mes zyrtarëve të lartë përgjegjës për hartimin e politikave, përmbante informacione të inteligjencës sipas të cilave një biznesmene kineze, e lidhur me Huang-un, ishte spiune e Ministrisë së Sigurisë së Shtetit të Kinës.

Sipas gazetës, Alice Huang flet mirë anglisht dhe ka lidhje në nivelet më të larta të industrisë së inteligjencës artificiale.

Ndërkohë, Megaspeed thuhet se po ndërton qendra të përpunimit të të dhënave në Azinë Juglindore dhe më pas ia jep me qira kapacitetin e tyre kompjuterik kompanisë kineze të internetit Alibaba, e cila shpesh konsiderohet si ekuivalenti kinez i Amazon-it.

Çipat e Nvidia-s dhe dyshimet për anashkalimin e kufizimeve amerikane ndaj Kinës

Sipas The New York Times, kjo mënyrë operimi i ka mundësuar Kinës të përdorë çipa të avancuar të Nvidia-s, shitja e të cilëve në tregun kinez është e kufizuar nga Shtetet e Bashkuara.

Nvidia ka deklaruar se nuk ishte informuar nga zyrtarët amerikanë për rrezikun që Alice Huang mund të ishte spiune.

Nga ana tjetër, Kina i ka hedhur poshtë me forcë pretendimet për ekzistencën e një operacioni spiunazhi.

Liu Chang, zëdhënës i Ambasadës Kineze në Uashington, i tha The New York Times se akuzat ishin pjesë e një fushate me “akuza dhe shpifje të pabaza” kundër Pekinit.

Tom Tugendhat, përfaqësues i opozitës britanike për politikën e jashtme, deklaroi se ishte e mundur që shteti kinez ta kishte rekrutuar Alice Huang pasi lidhja e saj me drejtuesin e Nvidia-s kishte filluar tashmë.

Ai hodhi hipotezën se qeveria kineze mund të kishte ushtruar presion ndaj saj, duke e kërcënuar me burgosjen e familjarëve nëse nuk pranonte të bashkëpunonte.

Sipas tij, kjo mund të kishte qenë mënyra për ta detyruar të bashkëpunonte, në një kohë kur ajo ndodhej tashmë në një pozicion që mund t’i shërbente një operacioni të tillë.

Kush është Lori Huang, bashkëshortja e miliarderit të Nvidia-s?

Jensen Huang u njoh me bashkëshorten e tij, Lori Mills, sot 65 vjeçe, në Universitetin Shtetëror të Oregonit, ku të dy studionin inxhinieri elektrike.

Në fillim të viteve 1980, ata ishin partnerë në punët laboratorike dhe, me kalimin e kohës, marrëdhënia mes tyre u bë më e afërt. Çifti u martua në vitin 1985.

Në një intervistë të mëparshme, miliarderi ka treguar se Lori ia kishte fituar zemrën duke i propozuar të studionin së bashku çdo të diel.

Ai i kishte premtuar gjithashtu se do të bëhej drejtor ekzekutiv i një kompanie përpara se të mbushte 30 vjeç.

Rreth tetë vjet më vonë, Huang u bë një nga bashkëthemeluesit e Nvidia-s.

Bashkëshortja e tij ka preferuar përgjithësisht të qëndrojë larg vëmendjes publike, megjithëse herë pas here e ka shoqëruar në aktivitete dhe ngjarje të rëndësishme.

Një martesë katërdekadëshe dhe një fondacion me pasuri mbi 9 miliardë dollarë

Në vitin 2007, çifti themeloi fondacionin Jen-Hsun and Lori Huang Foundation.

Pasuria e këtij fondacioni vlerësohet në më shumë se 9 miliardë dollarë, kryesisht si rezultat i rritjes së jashtëzakonshme të vlerës së aksioneve të Nvidia-s.

Stephen Witt, autori i biografisë së Jensen Huang-ut, Thinking Machine, i tha BBC-së se skandali përbën një goditje veçanërisht të rëndë për imazhin personal të miliarderit.

“Për dikë që ka bërë përpjekje kaq të mëdha për të krijuar imazhin e një njeriu të përkushtuar ndaj familjes dhe që i mban fëmijët shumë pranë vetes, kjo është diçka shumë e rëndë”, u shpreh ai. “Ai e lavdëron bashkëshorten dhe flet për të gjithmonë me shumë admirim”, shtoi Witt.

Ai kujtoi gjithashtu se të dy fëmijët e çiftit, Spencer dhe Madison, punojnë në Nvidia.

Jensen Huang, superylli i Silicon Valley

I njohur për xhaketën e tij karakteristike prej lëkure, miliarderi ka krijuar imazhin e një ylli roku në botën e teknologjisë.

Ai kalon kohë me admiruesit e tij, jep autografe dhe ka ndërtuar një marrëdhënie të pazakontë me publikun për një drejtues të një kompanie kaq të madhe.

Gjatë karrierës së tij, Huang e ka shpëtuar Nvidia-n disa herë nga falimentimi, duke këmbëngulur te bindja se inteligjenca artificiale do të bëhej një ditë thelbësore për tregun.

Sot, kompania furnizon me sisteme kompjuterike një numër të madh biznesesh dhe teknologjia e saj përdoret si në industrinë e videolojërave, ashtu edhe për funksionimin e modeleve të inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT.

Nga Donald Trump te Xi Jinping: Ndikimi politik i drejtuesit të Nvidia-s

Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar Huang-un si “një njeri të nderuar”, ndërsa situatën e krijuar e ka përshkruar si “komplekse”.

Huang ishte pjesë e një grupi të vogël personalitetesh të fuqishme, mes të cilëve edhe miliarderi i Tesla-s, Elon Musk, që morën pjesë në një darkë shtetërore gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Uashington, në fillim të këtij viti. Kompania e tij vlerësohet tashmë me rreth 4,5 mijë miliardë dollarë. / the independent

Bota.al

Back to top button