Lajm i mirë nga Sara Mille: Në një shkollë që po rrënohet, hapet laboratori i parë i TIK-ut

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 10.11.2026, 11:17

Ndërkohë që shkolla po rrënohet dhe çdo fillim viti nxënësit, bashkë me mësuesit, mbledhin lekë për t’i lyer klasat me gëlqere, sepse boja është luks, e ardhmja digjitale e fëmijëve po lulëzon përmes “superlajmeve” nga zyrat e qytetit.

Në një kohë kur realiteti i kësaj shkolle matet me mure të amortizuara dhe me rrezikun e shembjes, deputetja e zonës ka zgjedhur t’i falet shkencës përmes kamerave. Në videot e shpërndara me kujdes nga zyra e shtypit, ku drita e bardhë e studios shkëlqen në çdo cep dhe kamerat fokusohen fiks aty ku duhet për të fshehur muret e çara, është shpallur me bujë hapja e laboratorit të parë të TIK-ut në shkollën e Labinot-Katundit. Për herë të parë, pasi deri më tani shkolla nuk ka pasur asnjë kompjuter, përveç atyre dy copave të para 10 viteve, që shërbenin thjesht që nxënësit të dallonin se çfarë ishte kompjuteri.

Por, ç’rëndësi kanë kushtet fizike të godinës dhe fakti që shkolla po boshatiset, pasi shumica e nxënësve kanë ikur jashtë? Ç’rëndësi ka nëse tualetet janë bërë copë, pa ujë, dhe vetë banorëve apo prindërve u është dashur të mbledhin lekë për t’i rregulluar vetë, kur në ekranet tona serviret filtri perfekt i propagandës? Detajet, si tavani që mund të pikojë apo muret që kërkojnë ndërhyrje urgjente, zhduken magjikisht falë një kuadri të ngushtë dhe ndriçimit maksimal që kap vetëm monitorët e rinj, duke lënë jashtë fokusit mjerimin e pjesës tjetër të klasës.

Është vërtet mbresëlënëse se si vizioni i institucioneve kapërcen çdo problematikë strukturore të vetë godinës shkollore, duke na dhuruar një shfaqje ku fëmijët e Labinot-Katundit do të bëjnë kodim dhe do të eksplorojnë teknologjinë, ndërkohë që regjia e pushtetit sigurohet që asnjë metër katror i degraduar të mos prishë harmoninë e spotit propagandistik. Për më tepër, kur bashkëpunimi mes agjencive dhe drejtorive arsimore e kthen një kërkesë të tillë kaq shpejt në një video për rrjetet sociale, të tjerat duket se kanë më pak rëndësi.

Ndaj, le ta shijojmë këtë arritje televizive brenda dyerve të shkollës! Pse t’i prishim orët e mësimit me ankesa për muret e çara apo për bojën e klasave, kur mjafton një zmadhim i duhur i kamerës që shkolla të duket si Silicon Valley? Tek e fundit, propaganda të ngre lart, edhe kur shkolla poshtë po të bie mbi kokë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit