Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se FBI-ja po shqyrton çështjen që përfshin CEO-n e Nvidia-s, Jensen Huang, dhe një biznesmene kineze, e cila dyshohet se është spiune për llogari të Pekinit. Trump u shpreh se "mbeti i habitur" nga pretendimet lidhur me Huang-un, i cili është një nga aleatët më të afërt të tij në Silicon Valley. Trump tha se kishte biseduar me CEO-n, i cili i kishte treguar se nuk kishte pasur dijeni që gruaja në fjalë ishte spiune. "E di që FBI-ja po e heton këtë çështje," tha Trump. "Besoj se ai do t'ia dalë mbanë," shtoi ai. Aksionet e Nvidia-s pësuan një rënie prej më shumë se 4% të hënën, pasi bordi i kompanisë nisi një hetim të brendshëm për të përcaktuar nëse Huang kishte rënë pre e një operacioni të inteligjencës së huaj. Ky hetim, ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e 63-vjeçarit Huang, duke pasur parasysh statusin e Nvidia-s si prodhuesi i çipave me vlerën më të lartë në botë, si dhe rolin e CEO-s si figura kryesore që ka nxitur hovin e inteligjencës artificiale. Huang u ka treguar punonjësve të Nvidia-s se ka qenë jobesnik ndaj bashkëshortes së tij, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi këtë marrëdhënie. Huang, i njohur për xhaketat e tij prej lëkure, gëzon një status të ngjashëm me atë të yjeve të muzikës rock në mbarë botën, veçanërisht në Azi, ku shpesh ndërvepron lirisht me fansat, duke bërë "selfie" dhe duke dhënë autografe për ndjekësit e tij. Sipas të dhënave, ai është aksioneri i pestë më i madh i Nvidia-s, me një pjesëmarrje prej rreth 3.6%, dhe ushtron një kontroll të fortë mbi kompaninë përmes një strukture organizative jashtëzakonisht të sheshtë, ku dhjetëra drejtues raportojnë drejtpërdrejt tek ai. Ndërkohë Pekini e ka konsideruar ngjarjen një narrativë armiqsore duke thënë se bëhet fjalë për një akuzë pa baza, shpifje dhe përbaltje.