Bordi i Transparencës ndryshon çmimet e karburanteve, ulet nafta dhe benzina Pasi çështja me 30 të pandehur është ndarë prej muajsh, Gjykata e Posaçme u tërhoq në dhomë këshillimi për vendimin ndaj të bashkëpandehurve të Erion Veliajt, të cilët gjykohen të veçuar në një proces me kohë të shkurtuar.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se vendimi do të shpallet më 25 nëntor, ora 15:30.
Ndërkohë, për 19 të pandehurit e tjerë, mes të cilëve Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, seanca e radhës do të jetë më 17 nëntor.
Kujtojmë se SPAK në konkluzionet përfundimtare ndaj 11 të pandehurve në çështjen e ndarë nga ajo e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, vetëm për të pandehurin Elman Abule u kërkoi dënimi me burg, ndërsa për të tjerët u kërkua gjobë ose pezullimi i dënimit dhe vendosja në shërbim prove.
Për ish-deputeten socialiste, Klotilda Bushka, e akuzuar se së bashku me bashkëshortët Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, ndërmorrën një fushatë të koordinuar për të intimiduar dëshmitarët dhe hetuesit, u kërkua dënimi me 600 mijë lekë gjobë dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare me 400 mijë lekë gjobë. SPAK kërkoi gjobë me 40 mijë lekë për të pandehurën Flutura Xhani të akuzuar për deklarim të rremë. Për të pandehurën Frosina Bollo të akuzuar për korrupsion u kërkuan 8 muaj burg dhe pezullimi kësaj mase. Ndërkohë, që u kërkua gjobë 330 mijë lekë për OJF-në e saj, “Frobolus”.
Për biznesmenin Fatmir Bektashi, u kërkua deklarimi fajtor për korrupsion aktiv dhe dënimi tij përfundimtar me 8 muaj burg. Ndërkohë, u kërkua pezullimi i masës së dënimit dhe konvertimi me orë pune me interes publik. Dado kërkoi që të deklarohej fajtore për të njëjtën vepër penale edhe kompania e Bektashit, “Kontakt” sh.p.k. dhe dënimi me 600 mijë lekë gjobë.
SPAK kërkoi dënimin e të pandehurës Ina Goxhaj me 8 muaj burg për korrupsion dhe 4 vjet e 8 muaj heqje lirie për pastrim parash. Megjithatë, u kërkua pezullimi i dënimit dhe vendosja e saj në shërbim prove për pesë vjet. Për të pandehurën Adela Kondakçiu të akuzuar për npastrim parash u kërkua masa 4 vjet e 8 muaj burg dhe në përfundim përjashtimi nga dënimi. Ndaj ish-punonjësit të policisë, Fatjon Baçi i cili akuzohet se i dha në mënyrë të paligjshme një telefon Veliajt, u kërkua dënimi me 3 vjet e 4 muaj burgim dhe në përfundim pezullimi e vendosja në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare.
Për të pandehurin Elman Abule, i akuzuar për pastrim parash u kërkua dënimi përfundimtar me 4 vjet e 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, u kërkua edhe të caktohet gjobë prej 12 milionë lekësh ndaj shoqërisë së tij, “Rametal” sh.p.k..
Top Channel