Tragjedi në Bullgari/ 12 të vdekur dhe 50 të plagosur në aksidentet zinxhir, përplasen mbi 70 makina e kamionë

Tragjedi në Bullgari/ 12 të vdekur dhe 50 të plagosur në aksidentet zinxhir, përplasen mbi 70 makina e kamionë

12:10, 10/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Bullgarinë këtë të martë, ku 12 persona kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas dy përplasjeve masive zinxhir në autostradën “Trakia”. Në aksidentet, që ndodhën në të dyja drejtimet e lëvizjes, janë përfshirë më shumë se 70 automjete, mes tyre makina dhe kamionë.

Ngjarja ndodhi në zonën pranë qytetit Jamboll, mes nyjeve rrugore “Zimnitsa” dhe “Kabile”. Sipas autoriteteve bullgare, përplasjet e para u regjistruan pak pas orës 07:00 të mëngjesit, në një segment ku kishte mjegull shumë të dendur dhe dukshmëri tepër të kufizuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet, aksidenti i parë ndodhi në korsinë në drejtim të Burgasit. Një kamion bllokoi rrugën përpara një autobusi që transportonte një grup personash. Më pas autobusi u përplas me një tjetër kamion, i cili transportonte grurë, ndërsa në pjesën e pasme të këtij të fundit u përplas edhe një automjet.

Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Lyubomir Nikolov, bëri të ditur se mjegulla e dendur dhe rënia e menjëhershme e dukshmërisë dyshohet të kenë qenë ndër faktorët kryesorë të tragjedisë. Sipas dëshmive të mbledhura në vendngjarje, dukshmëria fillimisht ishte rreth 70–80 metra, por më pas ra në vetëm 10 metra.

Përplasja e dytë, në drejtimin e kundërt, drejt Sofjes, dyshohet se mund të jetë shkaktuar edhe nga shpërqendrimi i drejtuesve të mjeteve, të cilët kishin vënë re aksidentin e rëndë në korsinë tjetër.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë automjete të shkatërruara, makina të përmbysura dhe kamionë të dëmtuar rëndë, të shpërndarë në të dyja anët e autostradës. Disa persona mbetën të bllokuar brenda automjeteve dhe ekipet e shpëtimit u angazhuan për nxjerrjen e tyre.

Të plagosurit janë transportuar në spitalet e Jambollit, Slivenit dhe Burgasit. Autoritetet mobilizuan ambulanca, zjarrfikës, ekipe policie dhe personel ushtarak. Mbi 20 ushtarakë iu bashkuan operacionit të ndihmës, ndërsa një avion ushtarak transporti “Spartan” u vu në gatishmëri për evakuimin e të plagosurve drejt spitaleve të tjera.

Autostrada “Trakia” u bllokua në të dyja drejtimet, ndërsa drejtuesit e mjeteve u orientuan drejt rrugëve alternative. Për shkak të përmasave të aksidentit, autoritetet aktivizuan edhe sistemin e alarmit publik BG-ALERT.

Kryeministri bullgar Rumen Radev e cilësoi ngjarjen një tragjedi dhe shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave. Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhej në Bullgari, shprehu solidaritetin me familjet e prekura dhe ekipet e shpëtimit.

Hetimet për shkaqet e plota të dy aksidenteve pritet të vijojnë pas përfundimit të operacionit të shpëtimit dhe verifikimit të rrethanave në vendngjarje.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco