Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion vendosi, mes polemikave dhe përplasjeve mes deputetëve, të mos e mbajë në rend dite raportimin e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës. Në të njëjtën mbledhje u miratua shtimi i Projektligjit për Rregullatorin e Energjisë (ZRRE). Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po raporton për këtë çështje.
Nisma për largimin e pikës që lidhej me raportimin e Autoritetit të Konkurrencës erdhi nga deputeti Artan Asllani. Ai tha se përfaqësuesit e institucionit nuk ndodheshin në mbledhje, ndonëse ishte planifikuar të raportonin për situatën në Autoritet.
Të lidhura
None found
Asllani: Propozoj që pika e katërt të hiqet nga rendi i ditës
“Po propozoj diçka të thjeshtë. Po e shohim edhe prezencën: pika e katërt e rendit të ditës. Propozoj të largohet, sepse është bërë temë diskutimi për një kohë të gjatë dhe po shohim që ata nuk janë të pranishëm. Kërkoj që të mos jetë pikë e rendit të ditës”, u shpreh Asllani.
Propozimi shkaktoi kundërshtime nga opozita. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, theksoi se nuk u takon deputetëve të vendosin nëse të ftuarit nga një institucion do të paraqiten në mbledhje.
Lushtaku: Ne i ftuam; ardhja ose jo është përgjegjësi e tyre
“Për pikën e katërt që propozoi zoti Asllani, nuk më duket e drejtë që deputetët të marrin rolin e zëdhënësit të një institucioni tjetër. Ne i kemi ftuar; nëse e dinë apo jo dhe nëse vijnë, kjo është përgjegjësi e tyre”, tha Lushtaku.
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, iu bashkua debatit dhe e kritikoi Asllanin. Ai e quajti hipokrizi kërkesën për të hequr një pikë, duke iu referuar faktit se Asllani më herët kishte kundërshtuar shtimin e një pike tjetër.
Sadiku: Artan, ky është kulmi i hipokrizisë
“Po kërkoni të hiqet nga rendi i ditës një pikë, sepse nuk është gjetur kohë të merret vesh për të. Artan, ky është kulmi i hipokrizisë: kërkon të shtosh diçka në rend dite dhe njëkohësisht të heqësh diçka për të cilën nuk ka pasur kohë. A e di se për çfarë votove më herët?”, tha Sadiku.
Asllani reagoi duke vlerësuar se diskutimi kishte marrë drejtim të papranueshëm dhe nuk mund të vazhdonte në atë mënyrë.
Asllani: Debati degradoi dhe mori një drejtim jo të mirë
“U diskutua aq shumë këtu, sa u vu në pikëpyetje nëse e kuptoj edhe shqipen apo jo. Kjo është e papranueshme për mua dhe nuk mund të vazhdoj kështu. Debati degradoi dhe shkoi në një nivel jo të mirë”, deklaroi Asllani.
Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, foli për mungesën e përfaqësuesve të Autoritetit të Konkurrencës dhe tha se kryesuesja e institucionit nuk ishte paraqitur për të raportuar.
Kërçeli: Kryesuesja nuk po vjen të raportojë, por nuk mund ta urdhërojmë
“Kryesuesja nuk po vjen të raportojë dhe ne nuk mund ta urdhërojmë të vijë. E ka detyrim të paraqitet. A do ta shkarkojmë, o burra?”, tha ai.
Një tjetër debat u zhvillua për kërkesën e deputetit të LVV-së, Taulant Kelmendi, që në rendin e ditës të përfshihej Projektligji për Rregullatorin e Energjisë.
Kelmendi kërkoi që projektligji të shqyrtohej në mbledhjen e asaj dite. Sipas tij, Qeveria ia kishte dërguar Kuvendit më 6 nëntor 2026 dhe nisma lidhej me detyrimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, përmes të cilit vendi përfiton një paketë prej 882 milionë eurosh.
Kelmendi: Të shqyrtohet Projektligji për Rregullatorin e Energjisë
“Kam një propozim: të shqyrtohet Projektligji për Rregullatorin e Energjisë. Qeveria ia ka dërguar Kuvendit më 6 nëntor 2026 dhe dihet se ky projektligj lidhet edhe me Planin e Rritjes të BE-së, nga i cili Kosova përfiton një paketë prej 882 milionë eurosh. Matja bëhet në faza gjashtëmujore dhe këstet janë gjashtëmujore. Për efikasitetin e komisionit tonë, mendoj se duhet shtuar si pikë. Me ministren këtu, e cila është e gatshme ta prezantojë projektligjin, nuk shoh arsye të mos e përfshijmë në rend dite. E kemi edhe planin e punës”, tha Kelmendi.
Kryetari i komisionit, Arben Mustafa, e kundërshtoi kërkesën, duke thënë se nuk kishin kaluar as 24 orë nga koha kur komisioni e kishte pranuar projektligjin. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për vonesën në trajtimin e Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë, për të cilin, sipas tij, komisioni kishte pritur rreth një muaj.
Mustafa: Nuk kanë kaluar ende 24 orë nga pranimi i projektligjit
“Të them të drejtën, më habit ky propozim, pasi nuk kanë kaluar ende 24 orë që kur komisioni e ka pranuar projektligjin. Është një nismë me rëndësi të madhe dhe deputetëve duhej t’u jepej kohë të paktën për ta lexuar. Kërkoni ta fusni në rend dite pa kaluar 24 orë. Ndërkohë, prej rreth një muaji presim të trajtojmë ligjin për efiçiencën, por nuk po mundemi, sepse herë nuk vini ju dhe herë mungon ministrja. Nuk e kuptoj këtë ngut. Duhet respektuar edhe puna e komisionit. Ne nuk jemi këtu vetëm për t’i miratuar ligjet e Qeverisë, por edhe për t’i shqyrtuar përmbajtësisht. Ju lutem të kemi mirëkuptim dhe ta lëmë këtë projektligj për mbledhjen e ardhshme”, tha Mustafa.
Kelmendi iu përgjigj kryetarit të komisionit duke kërkuar që propozimi të hidhej në votim. Sipas tij, nuk ishte e nevojshme që deputetët të komentonin çdo kërkesë.
Kelmendi: Për propozimet ekziston mekanizmi i votimit
“Ju jeni kryetar i komisionit, por jeni i pari mes të barabartëve. Nuk është e nevojshme të komentohet çdo propozim dhe askush nuk ka pse ta komentojë propozimin e tjetrit. Për këtë ekziston mekanizmi i votimit”, tha Kelmendi.
Mustafa vijoi ta kundërshtonte përfshirjen e projektligjit, duke vënë në dyshim nëse deputetët kishin pasur kohë ta analizonin.
Mustafa: Nuk besoj se dikush arriti ta analizojë brenda më pak se 24 orësh
“Nëse mendoni se ky projektligj duhet vetëm të futet në rend dite, i keni votat në komision dhe mund ta kaloni. Por kjo tregon se sa i rëndësishëm është për ju. Jam i sigurt se as ti dhe as kolegët e tu nuk keni arritur ta analizoni, pasi na ka ardhur para më pak se 24 orësh, ndërsa tani kërkoni ta hidhni në votim vetëm që të kalojë. Kjo është e drejta juaj dhe tregon sa seriozisht e merrni”, u shpreh Mustafa.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, iu referua Rregullores së Kuvendit dhe tha se deputetëve duhet t’u lihen të paktën tri ditë për t’u përgatitur për shqyrtimin e një pike të rendit të ditës.
Lushtaku: Argumentet mund të jenë tonat, ndërsa arroganca e votës e juaja
“Sipas nenit 34, duhet të kemi të paktën tri ditë kohë për t’u përgatitur për një pikë të rendit të ditës. E kuptoj që jeni mazhorancë dhe se, siç mendojnë disa, dikush tjetër, në këtë rast Qeveria, mendon më shumë për ju sesa ju për veten. Megjithatë, dikush mund të dëshirojë t’i lexojë materialet dhe të konsultohet me palë të tjera para se të krijojë një qëndrim. Të gjitha këto ligje janë të rëndësishme dhe secila ka afatin e vet sipas rregullores, për të cilën jemi pajtuar të gjithë deputetët. Natyrisht që mund të na mbivotoni, sepse e dimë se kur argumentet janë në anën tonë, arroganca e votës mund të jetë në anën tuaj”, tha Lushtaku.
Komisioni po vijon mbledhjen me raportimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pa praninë e anëtarëve të opozitës.





