Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se kjo parti do të propozojë anulimin e vendimit për projektin “Ulpiana 2030 Legacy”.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se reagimi i qytetarëve ka bërë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të tërhiqet nga ideja për ndërtime të reja në lagjen Ulpiana.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk duhet të ketë relaksim, duke e akuzuar Ramën për mashtrim.
Sveçla ka paralajmëruar se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, LVV-ja do të propozojë anulimin e vendimit për “Ulpiana 2030 Legacy”.
“Ulpianën e mbrojmë me vendim institucional, jo me postime e premtime të Përparim Ramës në Facebook”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe projekti “Ulpiana 2030 Legacy”, i cili parasheh ndërtimin e një objekti për akomodimin e atletëve dhe stafit përcjellës gjatë Lojërave Mesdhetare 2030, ka nxitur reagime dhe kundërshtime pas miratimit të lokacionit në Kuvendin Komunal të Prishtinës./RTK