GJKKO shpall vendimin për dosjen “Veliaj” më 25 nëntor, zbardhen detajet
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur shqyrtimin e kundërshtimeve të paraqitura nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre në një prej proceseve të shkëputura nga dosja “Veliaj”. Pas përfundimit të kësaj faze procedurale, trupi gjykues ka caktuar datën 25 nëntor për shpalljen e vendimit.
Procesi po zhvillohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ndërsa në pretencën e saj Prokuroria e Posaçme ka kërkuar masa të ndryshme dënimi për personat dhe subjektet juridike të përfshira në këtë pjesë të dosjes. Emri i vetëm për të cilin SPAK ka kërkuar dënim me burg është biznesmeni Elman Abule.
Për të, prokuroria ka kërkuar një dënim prej 7 vitesh burgim. Megjithatë, për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, në rast se gjykata pranon kërkesën e organit të akuzës, masa e dënimit reduktohet në 4 vite e 8 muaj burgim.
Ndryshe nga Abule, për të pandehurit e tjerë SPAK ka propozuar dënime më të lehta, kryesisht gjoba, shërbim prove dhe punë në interes publik.
Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, prokuroria ka kërkuar vendosjen e një gjobe prej 600 mijë lekësh. Ndërsa për Ina Goxhajn dhe Fatjon Baçin është propozuar masa e shërbimit të provës.
Në rastin e biznesmenit Fatmir Bektashi, SPAK ka kërkuar kryerjen e punës në interes publik. Për Frosina Bollon është kërkuar gjithashtu shërbim prove, ndërsa për Flutura Xhanin një gjobë prej 40 mijë lekësh.
Një trajtim i veçantë është propozuar për Adela Kondakçiun, e cila ka marrë statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë. Duke marrë parasysh këtë status, prokuroria ka kërkuar që ajo të përjashtohet nga dënimi.
SPAK kërkon gjoba edhe për tre subjekte juridike
Pretenca e Prokurorisë së Posaçme përfshin edhe tri subjekte juridike të përfshira në këtë proces. Për shoqërinë “Rametal” sh.p.k. është kërkuar një gjobë prej 18 milionë lekësh, ndërsa për “Kontakt” sh.p.k. një gjobë prej 800 mijë lekësh.
Për organizatën jofitimprurëse “Frobolus”, masa e propozuar nga SPAK është një gjobë prej 500 mijë lekësh.
Me përfundimin e shqyrtimit të pretendimeve të mbrojtjes, procesi ka kaluar tashmë në fazën përfundimtare, ku fjalën e fundit do ta ketë trupi gjykues. Më 25 nëntor, GJKKO pritet të shpallë vendimin për të pandehurit dhe subjektet juridike të këtij procesi, duke vendosur nëse do të pranojë masat e kërkuara nga SPAK apo do të japë dënime të tjera.
Duhet theksuar se kjo çështje përfaqëson vetëm një pjesë të dosjes së njohur si “Veliaj”, pasi procesi është ndarë në disa procedime. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë vijojnë të përballen me drejtësinë në një proces të veçantë, i cili po zhvillohet me procedurë të zakonshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



