Maksim Et’hemaj jep dorëheqjen nga drejtimi i Autoritetit të Aviacionit Civil
Maksim Et’hemaj nuk do të jetë më në drejtimin e Autoritetit të Aviacionit Civil. Ai ka paraqitur dorëheqjen nga detyra e Drejtorit Ekzekutiv të këtij institucioni, të cilin e drejtonte që prej fundit të vitit 2021.
Largimi i Et’hemajt vjen pas afro pesë vitesh në krye të Autoritetit të Aviacionit Civil, një institucion me përgjegjësi të rëndësishme në mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të aviacionit në vend.
Emri i tij është përmendur në raportime të ndryshme mediatike edhe për shkak të marrëdhënieve të afërta që i janë atribuar me Belinda Ballukun, ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Dorëheqja bëhet publike në një periudhë kur si Et’hemaj, ashtu edhe Balluku janë përmendur në raportimet për çështje që kanë tërhequr vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë shkak zyrtar për largimin e tij dhe as nuk është konfirmuar ndonjë lidhje shkakësore mes dorëheqjes dhe hetimeve të SPAK-ut.
Largimi i tij hap tashmë çështjen e drejtimit të ardhshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do të marrë përgjegjësinë për drejtimin e institucionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



