Vendosni fjalën kyçe....

Koçeku pas vdekjes së elektricistit në Shkodër: 10 punonjës kanë humbur jetën në detyrë gjatë 10 muajve të fundit



Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar pas vdekjes së 34-vjeçarit Angjelin Nika, i cili humbi jetën gjatë punës si elektricist në Shkodër. Ajo shprehet se gjatë 10 muajve të fundit kanë humbur jetën në detyrë 10 elektricistë, duke e cilësuar këtë bilanc tragjik.

Në reagimin e saj, Koçeku ngre shqetësimin për kushtet e punës së punonjësve të sektorit energjetik, duke përmendur rrjetin e amortizuar, infrastrukturën e degraduar dhe ndërhyrjet në kushte të rrezikshme.

Deputetja thekson se, edhe pse përmirësimi i infrastrukturës kërkon kohë, shteti duhet të krijojë urgjentisht një skemë të posaçme sigurimi dhe kompensimi për këta punonjës. Ajo kërkon gjithashtu mbështetje financiare afatgjatë për familjet e viktimave, veçanërisht për fëmijët që mbeten pa prind.

“Detyra e parë e shtetit sigurisht është të garantojë që punonjësit e energjisë të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi, te familjet e tyre”, shkruan Koçeku, duke shtuar se përgjegjësia e shtetit ndaj familjeve të punonjësve që humbin jetën në detyrë duhet të vijojë edhe pas ditëve të zisë, kur ato përballen me jetën e përditshme pa njeriun e tyre.