Thirrje për dhunë ndaj policëve dhe politikanëve, kërcënime ndaj familjarëve të efektivëve dhe nxitje për djegien e institucioneve, janë bërë në emisione të ndryshme televizive gjatë protestave të dhunshme në Tiranë. Ato janë evidentuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive gjatë monitorimit të transmetimeve televizive në periudhën e protestave. Sipas AMA-s, përmbajtje të tilla u transmetuan në 11 nga 15 televizionet e mëdha që transmetojnë pa pagesë në të gjithë vendin.

Nga fillimi i vitit deri më 9 nëntor 2026, AMA ka vendosur 47 gjoba administrative. Prej tyre, 27 lidhen me përmbajtjen e transmetuar.

Mes fragmenteve të evidentuara janë shprehjet “Ka ardhur koha për luftë civile” dhe “Ulsi Manja duhet pushkatuar”, si dhe deklarata që publikon AMA se kryeministri Edi Rama “do të tërhiqet zvarrë”. Në transmetime të tjera, AMA thotë se janë dëgjuar thirrje për përmbysjen me armë të qeverisë dhe Parlamentit, për dhunë ndaj policëve, për sulm ndaj Gjykatës së Lartë dhe për djegien e bankave, ministrive, Parlamentit dhe selisë së PD-së. Është bërë gjithashtu thirrje që protestuesit t’u shkojnë në banesa të 140 deputetëve.

Gjatë monitorimeve të AMA-s janë evidentuar deklarata të tilla:

“Ka ardhur koha për luftë civile, të marrim gjithë armatimet e rënda kundër kësaj policie, granata gjithçka kemi, o burra.”

“Janë një parti kriminale që duhet zhdukur me revolucion, me përmbysje me armë, kjo qeveri, ky parlament.”

“Ulsi Manja duhet pushkatuar.”

“Ku i kanë fëmijët mor ata policë, ku i kanë familjet […] s’kisha nejt pa shku me ja vu dinamitin asaj shpie, ose shishe me benzinë me i djeg të gjithë mrena.”

“Tritol i duhet vënë Gjykatës së Lartë.”

“Nëse duhet djegur diçka, digjni shtëpinë e ministres.”

“Të gjitha bankat t’i djegin […] çdo institucion ta djegin […] e para nga Parlamenti.”

“Thyeni, thyeni çfarë t’ju dojë qejfi.”

“Protestuesit duhet t’u shkojnë në shtëpi 140 deputetëve të Parlamentit.”

“Mirë ja kanë bërë dhe asaj. Flakën t’i vënë dhe asaj. T’ia vënë dhe SHQUP-it këtu njëherë.”

“Të dalin me hekura e me gurë […] policat […] duhen djegur.”

“Ata policët janë qen e zagarë […] duhet të ishin çuar në litar.”

“Në fund Rama do të tërhiqet zvarrë. Nuk mund të mos tërhiqet zvarrë.”

“Kanë djegur pak, kanë shkatërruar pak.”

“Do t’ju çajmë gomat.”

“Ju dimë ku jeni.”

“Mësuesja ka rrezikuar totalisht të ardhmen e familjes së vet. S’po them me jetë, por me poshtërim publik, PO!”

“Edhe ajo makina e saj mbase do dëmohet nga nxënësit e saj.”

“Do ta gjejmë targën e makinës […] deri dhe adresën e shpisë, deri dhe libër shpie.”

“Edhe br.kët nga koka do jua heqim. Edhe br.kët e grave tuaja nga koka do jua heqim”.