Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar përfshirjen e një psikologu institucional në strukturën e saj për vitin 2027, me argumentin se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përballen me presione psikologjike, kërcënime dhe ngarkesë të lartë në punën e përditshme.
Kërkesa u bë gjatë raportimit të SPAK në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti i institucionit për vitin e ardhshëm.
Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në SPAK, Armand Shini, shpjegoi se psikologu do të ofrojë mbështetje për punonjësit e BKH-së, por do të përfshihet edhe në procesin hetimor, duke asistuar gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, deklaroi Shini.
Gjatë prezantimit të kërkesave buxhetore, SPAK bëri të ditur se për vitin 2027 ka kërkuar edhe 25 pozicione të reja pune: tetë për Prokurorinë e Posaçme dhe 17 për BKH-në.
Aktualisht, struktura organike e institucionit parashikon 339 pozicione, ndërsa numri efektiv i punonjësve është 220. Kjo do të thotë se janë 119 vende vakante, pjesa më e madhe e të cilave në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Sa i përket investimeve, SPAK ka parashikuar 15 milionë lekë për pajisje zyre, ku përfshihen kasaforta, grirëse dokumentesh dhe mobilie. Ndërkohë, 30 milionë lekë janë kërkuar për blerjen e tetë automjeteve, ndërsa 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike.
Kërkesat janë pjesë e projektbuxhetit të SPAK për vitin 2027, i cili synon të mbështesë zgjerimin e strukturës dhe kapacitetet administrative, hetimore dhe teknologjike të institucionit.