Qindra njerëz mblidhen në Chicago për të tentuar zhvendosjen e skulpturës së famshme “The Bean”

Qindra persona janë mbledhur në Millennium Park të Chicago-s, në një përpjekje të pazakontë për të shtyrë skulpturën e famshme “Cloud Gate”, e njohur ndryshe si “The Bean”, me qëllim zhvendosjen e saj shtatë inç (rreth 18 centimetra) majtas.
Fletushka të shpërndara nëpër qytet dhe në internet bënin thirrje për pjesëmarrje në këtë iniciativë, duke njoftuar se “shtyrja e parë” do të zhvillohej të dielën, në orën 12:47.
Ngjarja, e promovuar edhe përmes platformës Partiful, ishte një rikthim te teoria humoristike se brenda skulpturës gjendet një njeri i bllokuar. Kjo ide kishte qenë në qendër të protestave të ngjashme në vitin 2025, si dhe e një dokumentari satirik të publikuar së fundmi në YouTube.
“Brenda fasules është i bllokuar një njeri”, shkruante njëri prej organizatorëve në faqen e ngjarjes në Partiful, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, kërkimet e reja sugjeronin se në pjesën e poshtme, në anën e djathtë të skulpturës, mund të ekzistonte një derë e fshehtë.
Organizatorët pretendonin se zhvendosja e saj rreth 18 centimetra majtas mund të mundësonte hapjen e kësaj dere dhe dërgimin e ushqimit, përfshirë një turshi, si dhe të burimeve të tjera për personin e supozuar brenda saj.
- YouTube www.youtube.com
Promovuesi dhe argëtuesi nga Chicago, Taylor Bennett, publikoi pamje nga aktiviteti i së dielës, duke shpallur me humor fitoren e nismës.
“Mirë, do ta quajmë të paktën një inç. Dikush tha se lëvizi. Nuk e di nëse arritëm ta zhvendosnim plot shtatë inç, por krahasuar me herën e fundit që isha këtu, duket sikur ka lëvizur paksa”, deklaroi ai.
Megjithatë, Bennett më vonë sqaroi se skulptura nuk kishte lëvizur fare.
Në aktivitet mori pjesë edhe Saniyah Whaley, studente e vitit të parë në School of the Art Institute of Chicago. Ajo vlerësoi se rreth 250 persona ishin përpjekur ta shtynin skulpturën.
“Në mendjen e të gjithëve e dinim se ajo nuk do të lëvizte vërtet. Mendoj se këto aktivitete shërbejnë për t'i ndihmuar njerëzit të krijojnë lidhje më të forta brenda komunitetit”, tha Whaley për Block Club Chicago.
Skulptura “Cloud Gate”, e krijuar nga artisti Anish Kapoor, u vendos në Millennium Park në vitin 2004 dhe është shndërruar në një nga atraksionet më të njohura të qytetit të Chicago-s. /Telegrafi/





































