Goditje e rëndë për Kosovën, Dellova humb dy ndeshjet e nëntorit

Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm të keq para dy ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, pasi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se futbollisti është liruar nga grumbullimi, pasi ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se nuk është i gatshëm për t’i ndihmuar “Dardanët” në përballjet kundër Izraelit dhe Irlandës.
Mungesa e Dellovës është një shqetësim për përzgjedhësin Franco Foda, i cili humb një tjetër alternativë në repartin defensiv në prag të dy sfidave të rëndësishme.
27-vjeçari kishte pasur probleme fizike edhe gjatë muajit tetor, kur u lëndua në ndeshjen e Amedsporit kundër Genclerbirligit në Superligën e Turqisë. Pas ekzaminimeve me rezonancë magnetike, klubi turk kishte konfirmuar lëndimin dhe kishte nisur trajtimin e tij. Në atë kohë, rikuperimi i tij parashihej të zgjaste rreth një muaj.
Pavarësisht dëshirës së madhe për t’iu bashkuar Kosovës dhe për të qenë në dispozicion të trajnerit, gjendja e tij fizike nuk ia ka lejuar një gjë të tillë. FFK-ja i ka uruar mbrojtësit rikuperim sa më të shpejtë dhe rikthim në fushën e gjelbër.
Dellova nuk është mungesa e vetme me të cilën po përballet Kosova në këtë grumbullim.
Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani nuk do të jenë gjithashtu në dispozicion për shkak të lëndimeve të pësuara me klubet e tyre.
Ndërkohë, Albian Hajdari dhe Vesel Demaku nuk janë ftuar pasi vazhdojnë të rikuperohen nga lëndimet./Telegrafi/










































