Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është takuar të martën në Kopenhagë me liderët e vendeve nordike për të diskutuar çështjet e sigurisë, në një kohë kur Danimarka ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 4.8 miliardë koronash daneze, apo rreth 643 milionë euro.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, bëri të ditur se vendi i tij do të ndajë gjithashtu 150 milionë korona daneze, rreth 20 milionë euro, për të mbështetur sektorin energjetik të Ukrainës, transmeton Telegrafi.


Vizita e Zelenskyt në kryeqytetin danez përkoi me nisjen e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cilësoi vizitën si një dëshmi të mbështetjes së vazhdueshme për Kievin.

“Jam krenare që mirëpres presidentin Zelensky dhe liderët nordikë në Danimarkë. Lufta e ukrainasve për një Ukrainë të lirë dhe një Evropë të lirë vazhdon”, deklaroi ajo.

Në takimin në Kopenhagë pritej të merrnin pjesë edhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, si dhe kryeministri finlandez, Petteri Orpo.

Frederiksen theksoi se, edhe pas gati pesë vjetësh nga nisja e pushtimit të plotë rus, sulmet ndaj civilëve dhe objekteve jetike vazhdojnë.

“Bombardimet ndaj civilëve, qendrave të ndihmës humanitare dhe objekteve të ujësjellësit e ngrohjes vazhdojnë. Prandaj, duhet të qëndrojmë të palëkundur”, tha ajo.

Vendet nordike janë ndër mbështetësit më të fuqishëm të Ukrainës. Në fund të tetorit, Zelensky kishte udhëtuar në Oslo, ku ishte takuar me të dërguarit amerikanë.

Pas atij takimi, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre dhe presidenti finlandez Alexander Stubb zhvilluan një bisedë telefonike 90-minutëshe me presidentin rus, Vladimir Putin. Stubb e kishte cilësuar bisedën si “të sinqertë dhe përmbajtësore”.

Megjithatë, kryeministrja daneze Frederiksen e kishte kritikuar këtë telefonatë, duke thënë se ajo nuk ishte koordinuar me vendet e tjera nordike.

Ndërkohë, vizita e Zelenskyt u shoqërua me masa të shtuara sigurie në Kopenhagë. Policia ishte e pranishme në numër të madh pranë zyrës së kryeministres, ndërsa autoritetet njoftuan se masat do të forcoheshin edhe gjatë ditëve në vijim.

Policia e Kopenhagës bëri të ditur gjithashtu se fluturimi i dronëve mbi kryeqytet do të ndalohej deri më 12 nëntor. /Telegrafi/