Aktualitet

Ambasadorja e BE-së: Ligjet në Shqipëri të shoqërohen me buxhet, qytetarët të dëgjohen

Shqipëria duhet të zhvillojë konsultime publike që marrin parasysh shqetësimet e qytetarëve dhe t’i shoqërojë ligjet me fondet e nevojshme për zbatimin e tyre. Këtë mesazh përcolli ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, gjatë prezantimit të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026 para organizatave të shoqërisë civile.

Ambasadorja theksoi se raporti kërkon masa konkrete për problemet e ngritura, ndërsa nënvizoi se edhe politikat sociale duhet të kenë mbështetjen e nevojshme financiare.

“Raporti është i qartë. Shqipëria ka nevojë për konsultime publike kuptimplota, të shoqëruara me masa konkrete për adresimin e çështjeve të ngritura. Gjithashtu, ligjet e mira duhet të mbështeten me buxhetet e nevojshme për zbatimin e tyre, përfshirë politikat sociale”, u shpreh Moreira de Sousa.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e shoqërisë civile ngritën pyetje për mjedisin, transparencën, të drejtat e pronësisë mbi tokën, arsimin dhe shëndetësinë. Në qendër të diskutimeve ishte edhe mënyra se si matet progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Shoqëria civile është një partner kyç në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe shumë prej shqetësimeve të saj janë pasqyruar në raportin për Shqipërinë 2026. Dje, prezantova raportin përpara organizatave të shoqërisë civile dhe dëgjova pyetjet e tyre mbi mjedisin, transparencën, të drejtat e pronësisë mbi tokën, arsimin dhe shëndetësinë, e mbi të gjitha, mbi mënyrën se si matet progresi”, tha ambasadorja.

“Procesi i anëtarësimit prek çdo pjesë të shoqërisë. Që rezultatet e tij të jenë të qëndrueshme, ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës. Ne do të ndjekim nga afër çështjet e ngritura gjatë takimit”, shtoi ajo.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.