Nën masa të rrepta sigurie, Gjykata e Apelit ka nisur shqyrtimin e çështjes së Ruben Saraivës. Gjykata e Lezhës e dënoi atë me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, e ndodhur në Shëngjin në prill të vitit 2023. Mbrojtja kërkon shfuqizimin e vendimit, duke kundërshtuar si rregullsinë e procesit, ashtu edhe provat mbi identitetin e personit që qëlloi.
Në seancë, avokati vuri në dyshim mënyrën si u kryen hetimet dhe gjykimi në shkallën e parë. Sipas tij, Saraiva është shtetas i huaj me gjuhë amtare portugalishten, por nuk i janë dhënë të përkthyera në një gjuhë që kupton të gjitha aktet e çështjes.
Të lidhura
None found
Mbrojtja thotë se marrja e Saraivës si person nën hetim, njoftimi i akuzës dhe kërkesa për gjykim u bënë vetëm në anglisht. Avokati pretendon se klienti i tij nuk e njeh atë gjuhë aq mirë sa të kuptojë plotësisht procedurat. Për këtë arsye, ai e cilësoi vendimin proceduralisht të parregullt dhe kërkoi respektimin e garancive kushtetuese, duke theksuar se e kupton dhimbjen e familjarëve të viktimës.
Avokati kundërshtoi edhe përfundimin se Saraiva ishte personi i maskuar që hapi zjarr. Sipas tij, përshkrimi i blerësit të motorit në dëshmitë e mbledhura gjatë hetimit nuk përputhet me klientin e tij dhe asnjë dëshmitar nuk e ka identifikuar drejtpërdrejt. Mbrojtja shtoi se gjykata e shkallës së parë nuk dëgjoi dëshmitaren kryesore dhe se përshkrimet fizike të autorit, përfshirë gjatësinë, nuk përputhen me Saraivën.
Një tjetër kundërshtim lidhet me provën e ADN-së. Avokati tha se analiza u krye me kërkesë të autoriteteve marokene, pa qenë nën kontrollin e mbrojtjes, dhe se nuk u bë krahasimi me një kampion të marrë në Shqipëri. Sipas tij, ADN-ja e Saraivës nuk është gjetur në ndonjë send apo provë të lidhur drejtpërdrejt me vrasjen.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se miqësia e Saraivës me Edmond Haxhinë dhe vizita e tij në banesën e Haxhisë nuk dëshmojnë fajësi.
Pas avokatit foli edhe Saraiva. Ai kërkoi që shqyrtimi në Apel të jetë transparent, i drejtë dhe pa paragjykim. Saraiva tha se, pas dënimit me burgim të përjetshëm, kishte pritur të merrte të përkthyera të gjitha aktet e dosjes, jo vetëm vendimin gjyqësor. Për të kuptuar detyrimet e autoriteteve shqiptare ndaj një shtetasi të huaj, ai tha se kishte kërkuar informacion edhe nga burime të tjera.
Saraiva kërkoi qartësi për zhvillimin e seancave të mëparshme dhe vënien në dispozicion të transkripteve të tyre. Ai pretendoi se, gjatë gjykimit në shkallën e parë, përkthyesi nuk arrinte gjithmonë të përcillte të gjithë komunikimin dhe pyetjet. Për këtë shkak, sipas tij, kërkonte që diskutimet të zhvilloheshin më ngadalë, në mënyrë që të kuptonte çfarë thuhej.
Duke iu drejtuar gjykatës së Apelit, Saraiva shprehu shpresën për një shqyrtim neutral. Ai pretendoi se ishte paraqitur si fajtor si në media, ashtu edhe gjatë procedimit penal. Pretendimet e tij dhe të mbrojtjes për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lezhës pritet të shqyrtohen nga gjykata.








