Inflacioni në SHBA tejkalon pritshmëritë, Fed përballet me presion për rritjen e interesave
Çmimet e konsumit në Shtetet e Bashkuara u rritën më shumë se pritshmëritë në tetor, duke shtuar presionin mbi Rezervën Federale për të vijuar rritjen e normave të interesit, ndërsa familjet amerikane vazhdojnë të përballen me kosto të larta jetese.
Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 0.4% krahasuar me shtatorin, kur ishte regjistruar një rritje prej 0.6%, sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Punës, të publikuara të martën. Ekonomistët prisnin një rritje mujore prej 0.3%.
Inflacioni bazë, që përjashton çmimet e ushqimeve dhe energjisë për shkak të luhatshmërisë së tyre, u rrit gjithashtu me 0.3%, duke tejkaluar parashikimin prej 0.2% dhe duke mbetur në të njëjtin nivel me muajin paraardhës.
Sipas Reuters, të dhënat konfirmojnë se presionet mbi çmimet mbeten të larta, pavarësisht ngadalësimit të ritmit mujor të inflacionit.
Ndryshe nga publikimet e zakonshme, autoritetet amerikane nuk raportuan normën vjetore të inflacionit për tetorin. Mbyllja e administratës federale gjatë tetorit 2025 kishte penguar mbledhjen e të dhënave të çmimeve, duke lënë pa bazë krahasimi llogaritjen e ndryshimit vjetor. Në shtator 2026, inflacioni vjetor kishte arritur në 3.7%, ndërsa inflacioni bazë ishte 2.6%, mbi objektivin afatgjatë prej 2% të Rezervës Federale.
Rritja e çmimeve gjatë këtij viti është ndikuar nga shtrenjtimi i energjisë, në kushtet e konfliktit të SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, si edhe nga tarifat e importit të vendosura nga administrata e presidentit Donald Trump. Megjithëse çmimet e naftës kanë shënuar rënie gjatë ditëve të fundit, kostot e energjisë dhe ushqimeve vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi buxhetet e familjeve amerikane.
Publikimi i inflacionit ndikoi menjëherë tregjet financiare. Aksionet amerikane ranë, ndërsa yield-et e obligacioneve të Thesarit u rritën, teksa investitorët rivlerësuan perspektivën e politikës monetare. Rezerva Federale e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në intervalin 3.75–4% gjatë mbledhjes së tetorit.
Pas publikimit të të dhënave, tregjet financiare përfshinë plotësisht në çmime një rritje tjetër të normës së interesit me 0.25 pikë përqindjeje në dhjetor. Banka qendrore amerikane po përballet me sfidën e frenimit të inflacionit, ndërsa ekonomia vazhdon të regjistrojë rritje dhe tregu i punës mbetet relativisht i qëndrueshëm.
Të dhënat e reja vijnë gjithashtu në një periudhë kur kostoja e jetesës është kthyer në një nga shqetësimet kryesore të votuesve amerikanë, pas zgjedhjeve të fundit për Kongresin. Vendimi i ardhshëm i Rezervës Federale për normat e interesit pritet në dhjetor, ndërsa publikimi i radhës i inflacionit është planifikuar për 10 dhjetor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









