Ka nisur renovimi i ambulantës në lagjen Shkabaj të Prishtinës, me qëllim të përmirësimit të kushteve për pacientët dhe personelin shëndetësor.

Sipas një njoftimi të publikuar nga përfaqësues të kësaj lagjeje, projekti është iniciuar në bashkëpunim me drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi.


Fillimisht, si ndërhyrje urgjente është realizuar instalimi i kondicionerëve, të cilët mundësojnë freskimin e ambienteve gjatë verës dhe ngrohjen gjatë dimrit.

Po ashtu, instalimi i tyre ka ndihmuar në ruajtjen e temperaturës konstante në dhomën ku ruhen barnat, duke krijuar kushte më të përshtatshme për ruajtjen e tyre.

Tashmë kanë filluar edhe punimet për renovimin e plotë të hapësirave të brendshme të ambulantës. Ndërhyrjet përfshijnë renovimin e mureve, përmirësimin e ndriçimit dhe vendosjen e ulëseve të reja për pacientët.

Pjesë e projektit është edhe rregullimi i oborrit të ambulantës, i cili sipas njoftimit nuk ka qenë në gjendjen e duhur.

Përfaqësuesit e lagjes kanë bërë të ditur se fillimisht janë detyruar t'i adresojnë kërkesat e banorëve në mënyrë individuale, për shkak të, siç është thënë, mungesës së aktivitetit të Këshillit të Bashkësisë Lokale të Shkabajt.

Ata kanë falënderuar kryetarin e Prishtinës dhe drejtorin e Shëndetësisë për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.

“Pacientë të dashur, ju falënderojmë për durimin që po bëni! Kemi bërë shumë punë dhe kemi shumë punë për të bërë!”, thuhet në njoftim.

Renovimi synon të krijojë kushte më të mira për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e Shkabajt. /Telegrafi/