Prokuroria e Posaçme kërkon të përfshijë një psikolog institucional në strukturën e saj përgjatë vitit 2027.
Arsyeja, sipas SPAK, është nevoja që kanë hesutesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit për asistencë, për shkak të presioneve psikologjike, kërcënimeve dhe ngarkesës së lartë në punë.
Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në SPAK, Armand Shini, sqaroi gjatë prezantimit të projektbuxhetit të SPAK për vitin 2027, në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, se psikologu do të përfshihet edhe në veprimtarinë hetimore, duke asistuar gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, deklaroi Shini.












