Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar një takim me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Në fokus të takimit ishte procesi i reformës zgjedhore.
Përmes një reagimi, ambasadorja Moreira de Sousa theksoi se cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet, duke nënvizuar rëndësinë e këtij procesi për besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve.
Sipas saj, reforma zgjedhore përbën gjithashtu një element të rëndësishëm të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Diplomatja evropiane rikujtoi se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë të qarta prej kohësh dhe se puna e përbashkët e realizuar deri më tani duhet të konkretizohet me rezultate.
“Cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet. Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës.
Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të japë rezultate konkrete.
Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme,” shkruan Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.
Në ditë më pare u mbajt mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. PD, e cila deri më tani ka bojkotuar të gjitha komisionet, vendosi që të marrte pjesë, me kushtin e ndryshimit të rendit të ditës. Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, tha që prioritet i komisionit është ndryshimi i elementëve teknikë të pazbatueshëm në zgjedhje të evidentuara nga raportet e ndërkombëtarëve.
Ai akuzoi opozitën se po pengon procesin, duke theksuar se deri më tani nuk ka paraqitur propozime konkrete. Sipas tij, koha në dispozicion është e kufizuar dhe ekziston rreziku që objektivat e komisionit të mos realizohen brenda afateve të përcaktuara.
Gjiknuri deklaroi se komisioni duhet të fokusohet te çështjet prioritare, ndërsa kërkoi që deri në muajin dhjetor të jetë përcaktuar formula e re, duke përfshirë edhe diskutimet për ndarjen e re administrative-territoriale të vendit.







Komente
Komento