Kombëtarja shqiptare ka ende disa skenarë në dispozicion për të siguruar vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve. Në pamje të parë, mund të duket e çuditshme, por kuqezinjve mund t’u mjaftojnë edhe dy barazime për të arritur objektivin, ndërsa një fitore nuk garanton automatikisht kreun e grupit.
Skenari më interesant është ai ku Shqipëria barazon fillimisht me Finlandën dhe më pas me Bjellorusinë. Kjo, me kusht që të dyja këto përfaqësuese të marrin tri pikët në ndeshjet përkatëse ndaj San Marinos. Në një situatë të tillë, Shqipëria, Bjellorusia dhe Finlanda do të përfundonin me nga 11 pikë, ndërsa kuqezinjtë do të përfitonin nga golavarazhi në përballjet direkte për të siguruar vendin e parë.
Megjithatë, jo çdo fitore do të kishte të njëjtën vlerë. Nëse Shqipëria humbet ndaj Finlandës dhe më pas mposht Bjellorusinë, do të grumbullonte 12 pikë, por kjo mund të mos mjaftonte për të përfunduar në krye. Finlanda, nëse fiton ndaj San Marinos, do të shkonte në kuotën e 13 pikëve dhe do të kishte avantazhin në renditje.
Për kuqezinjtë, rruga drejt vendit të parë është më e sigurt me katër pikë në dy ndeshjet e mbetura, pra një fitore dhe një barazim, ndërsa gjashtë pikët e plota do të garantonin objektivin.
Por çfarë do të përfitonte Shqipëria nga vendi i parë? Avantazhi do të ishte i rëndësishëm: ngjitja direkte në Ligën B të Ligës së Kombeve, si dhe mundësia për të përfituar një rrugë shtesë drejt fazës play-off të Kampionatit Evropian 2028.
Sfida e parë e rëndësishme e këtij muaji është ajo ndaj Finlandës, e programuar më 12 nëntor në stadiumin “Air Albania”. Historia e përballjeve mes dy përfaqësueseve nuk është në favor të Shqipërisë. Në tetë ndeshjet e zhvilluara deri më tani, kuqezinjtë kanë regjistruar dy fitore, një barazim dhe pesë humbje. Edhe përballja e fundit, e zhvilluar në tetor, përfundoi me humbjen 2-1 të Shqipërisë, pas përmbysjes së rezultatit nga finlandezët.
