Inspektorati i Punës ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Ferizaj pas parregullsive

Inspektorati Qendror i Punës ka ndërprerë përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Ferizaj, pasi gjatë një inspektimi ka evidentuar parregullsi në zbatimin e masave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, inspektorët kanë konstatuar mangësi gjatë mbikëqyrjes në terren dhe kanë nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve.
Ndalimi do të jetë në fuqi deri në eliminimin e parregullsive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të punës.
Inspektorati Qendror i Punës ka rikujtuar se zbatimi i masave për sigurinë dhe shëndetin në punë është obligim ligjor i çdo punëdhënësi.
Po ashtu, u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të sigurojnë kushte të sigurta për punëtorët. /Telegrafi/





































