Belgjika përkujton 70-vjetorin e emigracionit shqiptar me ekspozitë kushtuar diasporës

Komuna e Schaerbeek në Bruksel do të organizojë një ekspozitë fotografike kushtuar historisë së emigracionit shqiptar në Schaerbeek dhe Belgjikë, me rastin e 70-vjetorit të mbërritjes së refugjatëve të parë shqiptarë në vend.
Në vitin 2026 shënohen 70 vjet nga ardhja e refugjatëve të parë shqiptarë në Belgjikë. Në këtë histori, Schaerbeek zë një vend të veçantë, duke u shndërruar ndër vite në një prej vendeve emblematike të diasporës shqiptare në Bruksel.
Në kuadër të këtij përvjetori, Bashkia e Schaerbeek po organizon një ekspozitë fotografike që rikthen historinë e emigracionit shqiptar në Schaerbeek dhe Belgjikë.
Ekspozita do të prezantohet në Sallën e Kryetarit të Bashkisë, nga 13 deri më 27 nëntor 2026, transmeton Telegrafi.
Në kuadër të këtij aktiviteti, të premten, më 13 nëntor, do të mbahet edhe një mbrëmje përkujtimore, në programin e së cilës është paraparë konferenca me temën “Prania shqiptare në Schaerbeek”, nga Kolë Gjeloshaj.
Po ashtu, gjatë kësaj mbrëmjeje do të bëhet përurimi i ekspozitës fotografike të Fran Kukajt, kushtuar historisë së emigracionit shqiptar në Schaerbeek dhe Belgjikë.
Aktiviteti do të përfundojë me një pritje në Sallën e Kryetarit të Bashkisë.
Përmes kësaj ekspozite dhe mbrëmjeje përkujtimore, Schaerbeek rikthen në vëmendje historinë e pranisë shqiptare në Belgjikë dhe rrugëtimin e komunitetit shqiptar ndër vite./Telegrafi/





































