Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka vendosur në favor të Fredi Belerit, duke konstatuar se vazhdimi i paraburgimit të tij nga autoritetet shqiptare ishte joproporcional dhe nuk mbështetej në arsye të mjaftueshme.
Në vendimin e saj, Gjykata sqaron se arrestimi fillestar i Belerit ishte i justifikuar, por thekson se, pas përfundimit të hetimeve më 19 korrik 2023, autoritetet shqiptare duhej të rivlerësonin nëse vazhdimi i masës së arrestit në burg ishte ende i nevojshëm.
Sipas Strasburgut, gjykatat shqiptare nuk morën në konsideratë sa duhet faktin se hetimet kishin përfunduar dhe dosja ishte dërguar për gjykim. Gjithashtu, nuk u paraqitën prova konkrete se Beleri mund të ndërhynte në dëshmitë apo provat e çështjes.
Gjykata vuri në dukje edhe se nuk ishin shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme lidhjet familjare dhe ekonomike të tij me Himarën, si dhe mundësia e zëvendësimit të paraburgimit me masa më të buta sigurie.
Në përfundim, Gjykata e Strasburgut vendosi që Shqipëria t’i paguajë Fredi Belerit 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore, në total 5,450 euro, pa përfshirë taksat e mundshme.
Megjithatë, Gjykata rrëzoi kërkesën e tij për kompensimin e të ardhurave të humbura gjatë periudhës kur nuk mundi të ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Fredi Beleri u arrestua më 12 maj 2023, nën dyshimet për shitblerje votash, ndërsa në zgjedhjet vendore të atij viti u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës. Ai nuk arriti të betohej dhe të merrte detyrën për shkak të paraburgimit. Më pas u dënua me dy vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.