Trump pezulloi sulmet ndaj Iranit, nafta bie nën 90 dollarë për fuçi
Për herë të parë që nga gushti, çmimet e naftës në bursa ranë nën 90 dollarë për fuçi, duke u ulur me gati 3%.
Tërheqja erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se do të pezullojë përkohësisht sulme të reja ndaj Iranit.
Kjo lehtësoi frikën e ndërprerjeve të vazhdueshme të furnizimit me karburante nga Lindja e Mesme, duke qetësuar ndjeshëm tregjet.
Sipas analistëve, tregu global i naftës po tregon shenja të ofertës së tepërt, ndërsa kërkesa për karburante ka rënë për shkak të çmimeve të larta.
Ndërkohë, prodhimi i naftës së OPEC u rrit gjatë tetorit, kryesisht në vende si Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku pavarësisht kufizimeve të vazhdueshme në eksporte.
Prodhimi arriti në 22.8 milionë fuçi naftë në ditë, por kjo qëndron sërish poshtë mesatares së regjistruar në shkurt prej 25.4 milionë fuçi në ditë, para nisjes së luftës në Iran.
Nafta e papërpunuar brent ka rënë me gati 23% që nga fundi i tetorit, kur tregtohej për 118 dollarë fuçia. Por, çmimet mbeten shumë mbi nivelin 70 dollarë që ishin para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit të këtij viti.
Rënia e çmimit të naftës nxiti tregjet e aksioneve në të gjithë botën, ndërsa ato vazhduan rimëkëmbjen e tyre pas tronditjes që pësuan javën e kaluar veçanërisht të firmave të teknologjisë.
Goditja u shkaktua pas panikut të investitorëve se fitorja e demokratëve mund ti vendosë frena revolucionit të inteligjencës artificiale, për të cilën po shpenzojnë miliarda dollarë kryesisht në ngritjen e qendrave të të dhënave.




