Shqipërisë do t’i shtohen tre avionë të rinj për shuarjen e zjarreve, dy prej të cilëve pritet të mbërrijnë në dhjetor të këtij viti, ndërsa i treti në mars 2027.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku konfirmoi se kontrata për avionët është mbyllur.
Çako deklaroi se me mbërritjen e tre mjeteve të reja, flota ajrore e vendit do të arrijë kapacitetin e plotë operacional gjatë vitit të ardhshëm.
“Kontrata është mbyllur. Dy avionët, të cilët janë të destinuar posaçërisht mbi bazën e kontratës, vijnë në dhjetor dhe i treti vjen në mars. Kjo është mbyllja përfundimtare e flotës që në 2027 do të jetë në kapacitetin maksimal”, deklaroi ai.
Kreu i Emergjencave Civile bëri të ditur se gjatë vitit 2026 Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për ndihmë pranë Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile për përballimin e zjarreve. Sipas tij, kjo është bërë e mundur falë gatishmërisë së mjeteve ajrore, ku përfshihen tre helikopterë Cougar, dy Black Hawk dhe dy avionë Air Tractor, të vënë në dispozicion nga operatori përkatës.
Ndryshe paraqitet situata e vitit 2025, kur Shqipëria kërkoi mbështetjen e vendeve partnere përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile dhe u asistua me 22 mjete ajrore për përballimin e zjarreve.
Çako sqaroi se kjo mbështetje nuk ishte tërësisht falas, pasi Shqipëria mbulonte një pjesë të shpenzimeve përmes anëtarësimit në mekanizmin europian, si dhe kostot që lidhen me operacionet.
“Në 2025 patëm një inspektim nga Brukseli për kërkesat e shtuara që ne patëm bërë, pasi në 2025 ne patëm një asistencë me 22 mjete ajrore të ardhura nga vendet partnere të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane. Në fund është një pjesë e kostos që qeveria shqiptare likuidon nga anëtarësimi në Mbrojtjen Civile Europiane, por edhe një pjesë e operacionalitetit. Nuk ka asnjë gjë falas”, u shpreh Çako.