Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ, njoftoi të martën më 10 nëntor se autoritetet gjyqësore shqiptare kishin shkelur Nenin 5/3 të Konventës Evropiane, duke e mbajtur në paraburgim pa arsye të mjaftueshme Fredi Belerin pas përfundimit të hetimeve paraprake për korrupsion zgjedhor.
Në një vendim unanim të dhomës me shtatë gjyqtarë, Strasburgu bën një ndarje në dy periudha. Atë të arrestimit dhe masës fillestare “arrest në burg” nga data 12 maj 2023 deri në 19 korrik 2023, të cilën e gjeti të ligjshme dhe të justifikuar. Dhe fazën e dytë të vijimit të kësaj mase sigurimi pas datës 19 korrik 2023, kur Prokuroria e Posaçme kishte përcjellë dosjen për gjykim në GJKKO. Beleri qëndroi në paraburgim për 9 muaj e 21 ditë, deri në shpalljen e fajësisë në shkallë të parë më 5 mars 2024.
Sipas vendimit të GJEDNJ-së, në fazën fillestare të hetimit, gjykatat shqiptare dhanë arsye të mjaftueshme për izolimin e të akuzuarit, duke u bazuar në dyshimin e arsyeshëm të mbështetur në përgjime dhe dëshmi, natyrën e ndjeshme të krimit zgjedhor si dhe dyshimet se ishin fshirë pamje filmike nga kamerat e sigurisë në disa lokale.
“Duke e marrë situatën në tërësi, si dhe duke marrë parasysh natyrën e ndjeshme të akuzës dhe faktin se paraburgimi i kërkuesit ishte në një fazë shumë të hershme të hetimit, Gjykata pranon se, fillimisht, gjykatat vendase dhanë arsye të rëndësishme dhe të mjaftueshme për urdhërimin e paraburgimit të kërkuesit,” thuhet në paragrafin 87 të vendimit.
Megjithatë, Gjykata e Strasburgut konstatoi se me kalimin e kohës, Gjykatat e Posaçme dhe Gjykata e Lartë dështuan të bënin një vlerësim real të rrethanave kur rrëzuan tre kërkesa të njëpasnjëshme të Belerit për zëvendësimin e arrestit në burg me një masë më të butë sigurie ose garanci pasurore, ndonëse i bashkëpandehuri tjetër në të njëjtën dosje ishte liruar me masën “detyrim për t’u paraqitur”.
“Sa i përket rrezikut të prishjes së provave, gjykatat vendase nuk morën parasysh ecurinë e hetimit dhe faktin që ishte tashmë ngritur aktakuza. Ato gjithashtu nuk treguan ndonjë provë apo formë specifike prove që duhej ende të sigurohej apo që mbetej e rrezikuar për t’u manipuluar nga kërkuesi,” thuhet në vendimin e GJEDNJ-së, duke vënë në dukje se arsyetimi për vijimin e masës së sigurisë kishte qenë i dobët.
Gjykata kritikoi veçanërisht praktikën e gjykatave shqiptare, të cilat i kërkonin të pandehurit të sillte prova të reja për të vërtetuar se rreziqet e arratisjes apo përsëritjes së veprës kishin rënë.
“Qëndrimi i gjykatave vendase në fakt ia kaloi barrën e provës kërkuesit, gjë që ishte e barabartë me përmbysjen e rregullit të Nenit 5 të Konventës, një dispozitë që e bën paraburgimin një përjashtim të jashtëzakonshëm nga e drejta për liri,” vëren Gjykata, duke shtuar se ky defekt i jurisprudencës shqiptare u korrigjua vetëm më vonë përmes vendimit unifikues nr. 80/2026 të Gjykatës së Lartë në maj 2026.
Strasburgu vuri në dukje gjithashtu se gjykatat vendase, për caktimin e masës së sigurisë, u mbështetën përtej masës te “rrezikshmëria e veçantë” abstrakte e veprës penale dhe te një dënim i pashlyer i Belerit i viteve 2003–2009, pa analizuar kalimin e mbi një dekade nga ky rast dhe pa marrë parasysh lidhjet e tij familjare e ekonomike me Himarën.
Ndërkohë, GJEDNJ rrëzoi kërkesën e Belerit për dëm pasuror prej rreth 2,600 eurosh në muaj për pagën e humbur si kryebashkiak i zgjedhur dhe 50,000 euro dëm moral, por urdhëroi shtetin shqiptar t’i paguajë atij 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5,000 euro për shpenzimet gjyqësore.
Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të vitit 2023 në Shqipëri me akuzën e blerjes së votave, u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi ndaj tij u konfirmua në Apel dhe Gjykatën e Lartë. Ai vuajti një pjesë të dënimit me 2 vjet heqje lirie dhe u lirua me kusht në shtator 2024, kur i mbeteshin edhe 6 javë nga përfundimi i dënimit.
Edhe pse i arrestuar, Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë në maj 2023 dhe qe kryetar i zgjedhur i bashkisë deri në korrik 2024, kur pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli mandatin e tij të pavlefshëm.
Për shkak të arrestimit, Beleri nuk kreu dot betimin si kryebashkiak dhe gjykata refuzoi ta lejonte atë të merrte mandatin. Gjatë kohës që Beleri përballej me akuza në Shqipëri, ai mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis e kandidoi në listën e saj për deputetë të Parlamentit Evropian. Beleri u shpall fitues, ndërsa ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Shqipëri. Pasi u zgjodh në Parlamentin Evropian si eurodeputet nga Greqia, ai u gjet fajtor për blerje votash edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit.






