Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi takimin e parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Në fokus të diskutimeve ishin afati i ngushtë kohor në dispozicion të komisionit, prioritetet dhe gjithëpërfshirja e procesit.
Përmes një reagimi, ambasadorja theksoi se cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha brenda së cilës ajo realizohet. Sipas saj, puna e komisionit duhet të përkthehet në rezultate konkrete, duke marrë në konsideratë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
De Sousa nënvizoi se reforma zgjedhore është thelbësore për rikthimin e besimit të publikut, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo e cilësoi procesin gjithashtu si një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet. Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës”, u shpreh ambasadorja.
Ajo kujtoi se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe se puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të sjellë rezultate konkrete.
“Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të japë rezultate konkrete. Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”, deklaroi Sofia Moreira de Sousa.