Ruben Saraiva, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, kërkon rishikimin dhe rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lezhës. Në seancën e zhvilluar këtë të martë në Gjykatën e Apelit, mbrojtja ka kundërshtuar procesin e shkallës së parë, duke pretenduar shkelje procedurale dhe mungesë provash bindëse që e lidhin drejtpërdrejt me ekzekutimin.

Avokati ka theksuar se Saraivës, si shtetas i huaj me gjuhë amtare portugalishten, nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet e dosjes të përkthyera në një gjuhë që ai kupton. Po ashtu ai , ka kundërshtuar administrimin e provës së ADN-së, duke pretenduar se analiza është kryer jashtë kontrollit të mbrojtjes dhe pa një krahasim me kampion të marrë në Shqipëri. Seanca u shty për në 24 nëntor ku pritet që prokuroria të paraqesë pretendimet e saj.

Saraiva u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Ardian Nikulajt, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin. Ekzekutimi ndodhi brenda hotelit të Nikulajt në Shëngjin ‘Coral’. Biznesmeni ishte ulur në lokalin e hotelit kur u afrua portugezi me skafandër në kokë duke e qëlluar për vdekje.

Sipas prokurorisë vrasja e Nikulajt dyshohet se u porosit nga Edmond Haxhia i cili jeton në Britaninë e Madhe, për motive gjakmarrje. Të përfshirë si ndihmës edhe 4 shtetas britanikë.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte vijim i zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt i nisur në 1997 duke shkaktuar bilanc me shumë viktima mes dy fiseve.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë