De la Fuente shpjegon mungesën e Yamal dhe jep lajmin për ndeshjen ndaj Anglisë Lionel Messi mund të rikthehet në stadiumin legjendar “Monumental”, por këtë herë jo me fanellën e kombëtares së Argjentinës. Inter Miami dhe River Plate janë duke planifikuar zhvillimin e një ndeshjeje miqësore më 19 janar, e cila mund të shënojë një moment historik në karrierën e yllit argjentinas.
Sipas raportimeve nga mediat greke, dy klubet kanë avancuar në organizimin e kësaj përballjeje, ndërsa trajneri i Inter Miamit, Cristian González, ka dhënë sinjale pozitive për realizimin e saj. “Për mua, kjo çështje është pothuajse e sigurt”, është shprehur ai.
Ndeshja mund të jetë miqësorja e fundit për River Plate përpara nisjes së turneut “Apertura”, i cili është planifikuar të fillojë më 24 janar.
Për Messin, kjo përballje do të kishte një rëndësi të veçantë, pasi do të ishte hera e parë që ai do të luante në Argjentinë me fanellën e një klubi, që nga fillimi i karrierës së tij profesionale, edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore.
Paraqitjet e mëparshme të tetë herë fituesit të Topit të Artë në Argjentinë, jashtë angazhimeve me kombëtaren, kanë qenë kryesisht në ndeshje bamirësie dhe organizime speciale. Mes tyre përfshihen takimet e zhvilluara për Fondacionin “Pupi” gjatë viteve 2005-2011, si dhe ndeshjet në nder të Juan Román Riquelmes dhe Maximiliano Rodríguez në qershor të vitit 2023.
Megjithatë, këto takime janë zhvilluar në stadiumin “La Bombonera” ose në impiantin e Newell’s Old Boys në Rosario.
“Monumental”, një stadium special për Messin
Stadiumi i River Plate ka një domethënie të veçantë për Lionel Messin. Pikërisht aty ai ka zhvilluar numrin më të madh të ndeshjeve me fanellën e kombëtares argjentinase.
Në “Monumental”, Messi ka regjistruar 29 paraqitje, duke shënuar 20 gola dhe dhënë 11 asistime, pa pësuar asnjë humbje.
Gjatë vizitës së tij të fundit, drejtuesit e River Plate e nderuan yllin argjentinas, duke e shpallur anëtar nderi të klubit.
Nëse miqësorja konfirmohet, rikthimi i Messit në këtë stadium do të jetë një tjetër moment i veçantë për karrierën e tij, këtë herë me fanellën e Inter Miamit.
Top Channel