Një incident i rëndë i sigurisë kibernetike ka vënë në alarm botën e teknologjisë, pasi më shumë se 100 mijë dokumente që lidhen me Claude Code, asistentin e programimit të zhvilluar nga Anthropic, janë bërë të aksesueshme publikisht në internet. Mes materialeve të ekspozuara janë identifikuar edhe mbi 1 mijë raste me fjalëkalime dhe informacione konfidenciale të kompanive.

Problemi u evidentua nga firma e sigurisë kibernetike Apiiro, e cila zbuloi një dobësi në mënyrën se si Claude Code administron dhe ruan konfigurimet, preferencat dhe autorizimet e përdoruesve.

Sipas ekspertëve, ekspozimi ndodh kur skedarët që përmbajnë këto informacione transferohen ose përdoren në pajisje të tjera pa masat e duhura të sigurisë. Si pasojë, të dhënat mund të përfundojnë të publikuara në platforma të hapura si GitHub, ku zhvilluesit ruajnë dhe ndajnë kodet e projekteve të tyre.

Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se informacionet e ekspozuara mund të vazhdojnë të jenë të disponueshme në internet edhe pasi skedarët përkatës janë fshirë nga pajisjet ku janë krijuar fillimisht.

Claude Code është një mjet i inteligjencës artificiale që mund të realizojë detyra të ndryshme programimi në mënyrë autonome, duke analizuar kodin, hartuar plane pune dhe ekzekutuar komanda me ndërhyrje minimale nga përdoruesi.

Incidenti ka rikthyer në vëmendje rreziqet që shoqërojnë përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale, veçanërisht kur ato kanë akses në skedarë, sisteme dhe informacione sensitive të kompanive.

Ndërkohë, kompania Anthropic ka konfirmuar se është në dijeni të problematikës dhe po punon për masa korrigjuese, me synimin për të parandaluar ekspozimin e mëtejshëm të të dhënave private.