Bashkimi Evropian po ndjek nga afër situatën në Shqipëri dhe protestat e zhvilluara për çështjet mjedisore. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Brukseli nuk mund të mbyllë sytë përballë zhvillimeve në vend, ndërsa i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ulet në dialog me qytetarët që kanë qëndrime të ndryshme nga të sajat.
Duke iu referuar kërkesave të protestuesve, Kos tha se ato lidhen me zbatimin e legjislacionit evropian për mbrojtjen e mjedisit, një fushë që përfshihet në Kapitullin 27 të negociatave për anëtarësimin në BE dhe që mbulon gjithashtu ndryshimet klimatike.
Sipas komisioneres, Shqipëria ndodhet në një fazë ku Komisioni Evropian po kërkon përmbushjen e kushteve për përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet evropiane. Ajo theksoi se procesi i integrimit shërben si një mekanizëm garantues që vendi të arrijë këto standarde.
“Ne nuk po i mbyllim sytë rreth situatës në Shqipëri, sepse procesi i zgjerimit është kaq transparent dhe ka kaq shumë palë të interesuara që janë të përfshira në të saqë thjesht nuk do të mund ta bënim këtë. Unë mund ta shpjegoj saktësisht edhe rastin e Shqipërisë, një shtet kandidat që është pjesë e procesit të zgjerimit”, u shpreh Kos.
Sa u përket protestave, komisionerja theksoi se ato janë shprehje e qëndrimeve të një grupi qytetarësh dhe se fenomene të tilla nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Megjithatë, ajo nënvizoi se tubimet duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe pa dhunë.
“Protestuesit në Shqipëri po kërkojnë zbatimin e një legjislacioni evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Ky është Kapitulli 27. Tani jemi në fazën ku Komisioni Evropian po kërkon nga Shqipëria të plotësojë kushtet që duhen për të harmonizuar legjislacionin e saj në këtë fushë. Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian është garantuesi që Shqipëria do të arrijë standardet evropiane”, deklaroi komisionerja.
Në përfundim, Kos i drejtoi një mesazh edhe qeverisë shqiptare, duke kërkuar që të mos shmangë komunikimin me qytetarët që kundërshtojnë qëndrimet apo politikat e saj.
“Protestat janë shprehja e një grupi të caktuar njerëzish. Dhe siç e dini, protesta nuk po ndodhin vetëm në Shqipëri. Është e rëndësishme që ato të zhvillohen në një frymë paqësore, pa dhunë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare, që të gjejë një mënyrë, të ulet dhe të flasë me njerëzit që kanë një mendim të ndryshëm prej saj”, u shpreh Marta Kos.

