Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka cilësuar Milan Radoiçiçin si arkitektin kryesor të sulmit të armatosur në Banjskë, duke kërkuar nga Serbia dorëzimin e tij për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë.
Deklaratën Kurti e bëri këtë të martë, gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), në Paris, ku foli për situatën e sigurisë në Kosovë dhe marrëdhëniet me Serbinë.
Kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se Radoiçiç duhet të mbajë përgjegjësi për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023, në veri të Kosovës. Sipas tij, fakti që ai vazhdon të qëndrojë në Serbi dhe nuk është dorëzuar para drejtësisë përbën një problem serioz në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kurti ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin të vihen përpara drejtësisë, duke nënvizuar se çështja e Banjskës nuk mund të lihet jashtë procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës. Gjatë përleshjes mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit sulmues.
Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka pranuar përfshirjen në organizimin e grupit të armatosur. Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë atë përgjegjës për organizimin e sulmit dhe kërkojnë që ai të përballet me drejtësinë.












