Gjykata zhvilloi sot seancën paraprake të radhës për Nikoll Radaçin, i akuzuar për “Shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor” pas aksidentit të 3 majit në Durrës. Dy fëmijë që po luanin në trotuar humbën jetën, ndërsa një i tretë u plagos rëndë.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Elvis Sulejmani. Gjatë procesit është kërkuar pushimi i akuzës për “Drejtimin e mjetit në mënyrë të parregullt”, vepër e parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal. Kërkesa mbështetet në argumentin se për këtë vepër zbatohet ligji nr. 57/2026 “Për amnistinë”.
Të lidhura
None found
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës bën të ditur se për çështjen janë mbajtur deri tani dy seanca gjyqësore, më 2 dhe 10 nëntor. Seanca e ardhshme është caktuar për më 16 nëntor, në orën 10:45.
Aksidenti ndodhi mesditën e 3 majit në lagjen nr. 15 të Durrësit. Tre fëmijë po luanin me top në trotuar kur 57-vjeçari, në gjendje të dehur, humbi kontrollin e automjetit dhe i përplasi. E.M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç, ndërruan jetë. Fëmija tjetër, 8 vjeç, mbijetoi me plagë të rënda.
Banorët e zonës e kishin raportuar disa herë shoferin në polici. Ai ishte gjobitur edhe nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të sigurisë.








