Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka mbrojtur bilancin e tij në drejtimin e luftës kundër Iranit, gjatë konferencës së parë për shtyp në gjashtë muaj, pas nismës së një kongresmeni republikan për shkarkimin e tij.
Duke folur në Pentagon, Hegseth e cilësoi përpjekjen për shkarkimin e tij si një “farsë”, ndërsa mbrojti operacionet ushtarake amerikane, të cilat i përshkroi si të ligjshme, sipas BBC.
“Ky nuk është patriotizëm. Ky është sabotim”, deklaroi ai, duke iu përgjigjur kritikave ndaj mënyrës se si ka menaxhuar luftën në Iran.
Hegseth është përballur me kritika si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët. Megjithatë, presidenti Donald Trump ka dalë në mbështetje të tij, duke vlerësuar me notën “A PLUS” performancën e sekretarit të Mbrojtjes.
Nisma për shkarkimin e Hegseth u paraqit të hënën në Dhomën e Përfaqësuesve nga kongresmeni republikan Thomas Massie. Ai e akuzon sekretarin se ka shkelur Kushtetutën, duke mos kërkuar miratimin e Kongresit përpara nisjes së luftës.
Megjithatë, përpjekja për shkarkimin e tij pritet të dështojë. Republikanët vijojnë të kenë shumicën në Kongres deri në janar, çka u jep atyre kontrollin mbi votimin e kësaj nisme.