Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në hyrje të Terminalit të autobusëve në Sarandë, ku një automjet ka përplasur një këmbësor.

Makina ka përplasur 31-vjeçarin Hysen Riad, me origjinë egjiptiane, teksa ky i fundit po kalonte rrugën në drejtim të terminalit.

Pas përplasjes, këmbësori ka përfunduar në tokë, ndërsa është ndihmuar fillimisht nga qytetarët e pranishëm në vendngjarje, të cilët kanë njoftuar shërbimet e emergjencës.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore dhe ambulanca, e cila transportoi të dëmtuarin drejt urgjencës së spitalit të Sarandës.

Sipas informacionit paraprak, 31-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, po kryen kontrollet e nevojshme dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Policia po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Ky është aksidenti i dytë i regjistruar gjatë ditës së sotme në Sarandë, pas një tjetër përplasjeje në Qafë Gjashtë, që përfundoi vetëm me dëme materiale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: