Ilir Alimehmeti ka shprehur hapur gatishmërinë për të përfaqësuar opozitën në garën për Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se kandidati përfundimtar duhet të jetë rezultat i një marrëveshjeje dhe konsensusi mes forcave opozitare. Gjatë një interviste të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, Alimehmeti u bëri apel partive opozitare të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkojnë qëndrimet për të dalë me një kandidat të vetëm. Për të një garë me kandidatë të ndarë do të favorizonte kundërshtarin politik, ndërsa opozita duhet të fokusohet te një alternativë e përbashkët. Alimehmeti nënvizoi se interesi qytetar duhet të prevalojë mbi ambiciet personale dhe se mënyra se si do të përzgjidhet kandidati është shumë më e rëndësishme sesa emri që do të përfaqësojë opozitën në këtë garë.
Ju sot e konsideroni veten një kandidat apo thjesht një person që ka shprehur gatishmërinë për të kandiduar?
Ilir Alimehmeti: Unë e kam vendosur veten time në dispozicion të opozitës. Sepse unë kështu besoj që duhet bërë kjo punë. Duhet bërë me një konsensus brenda forcave që mendoj me të vërtetë që interesi publik është rrëzimi i sa më parë i qeverisë së Ramës, të cilat duhet të bashkërendojnë forcat me njëra-tjetrën. Sepse, të jemi shumë të qartë, e dimë shumë mirë nëse nuk do të ketë ndryshime nga ligji territorial, se ju e dini që është bërë edhe një kërkesë për futjen e zgjedhjeve me dy faza, që do të thotë me sistemin e balotazhit. Pra, nëse kjo nuk kalon, se nuk i intereson Edi Ramës kjo kështu, se e dinë që i humb zgjedhjet kështu, nëse kjo nuk kalon, atëherë kërkohet një bashkërendim se është me një fazë të vetme dhe kërkon bashkërendim që në fillim të të gjithë opozitës. Kështu që unë mendoj dhe shpresoj që të gjithë faktorët e opozitës të ulen njëri me tjetrin, të gjejnë konsensusin për të gjitha bashkitë mundësisht, po veçanërisht për Tiranën që është më e madhja dhe më heterogjene dhe të gjitha forcat janë të pranishme këtu, dhe të vendosin një kandidat të vetëm. Nëse vendoset më shumë sesa një kandidat, do të thotë që neve po bëjmë lojën e kundërshtarit.
A keni zoti Alimehmeti një projekt se si do ta drejtonit ju Tiranën në rast se do zgjidheni apo jeni pjesë e betejës politike të opozitës për të rrëzuar qeverinë, ku sigurisht beteja për Tiranën mbetet kryesore?
Ilir Alimehmeti: Nuk është diskutim që lind sot dhe ndërkohë patjetër jam kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës. Kështu që jemi gjithë kohës të përfshirë në le të themi ndjekjen e ecurive ashtu siç shkon kjo Bashkia e Tiranës që është bllokuar ashtu siç është bllokuar dhe është abuzuar ashtu siç është abuzuar. Jemi shumë të qartë për të gjitha problematikat dhe jemi shumë të qartë për ato që bëhen dhe s’mund të bëhen. Kështu që në këtë aspekt, ama në radhë të parë duhet të jetë ky konsensus i forcave opozitare që të çojë përpara frymën, që të çojë përpara ndryshimin e madh. Dhe jua them me bindje të plotë që në qoftë se këto arrijnë, gjë që është shumë e vështirë, ju e dini kushtet e Shqipërisë, shumë i vështirë është ky konsensus. këto forca do të hyjnë dhe do bëjnë një hap historik. Do të mbahet mend për një konsensus në emër të interesit publik.
Dje sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike e vlerësoi kandidaturën tuaj shumë të mirë, por sigurisht që ju nuk jeni ende një kandidat zyrtar. Cili është raporti juaj me Partinë Demokratike, qoftë edhe me opozitën në përgjithësi zyrtar në lidhje me dëshirën tuaj, me vendosjen tuaj në gatishmëri për të konkurruar për kryetar?
Ilir Alimehmeti: Në radhë të parë duhet parë procesi se si do bëhet. Pra në qoftë se ju e mbani mend sot një vit neve patëm një proces ku të gjitha forcat komunikuan njëra me tjetrën për Tiranën. E mbani mend këtë besoj, që një raund takimesh që doli në një përfundim dhe kandidati u mbështet nga të gjitha forcat. Unë e di sepse isha në grupi negociator kështu që e di nga shumë brenda këtë bisedë. Ai ishte një lloj procesi shumë mendoj unë shumë konstruktiv dhe ai lloj procesi unë shpresoj që të ribëhet. Do bëhet apo s’do bëhet, këtu do jemi neve, do ta ndjekim në dinamikë, por procesi është më i rëndësishëm sesa emri i përveçëm, sepse garanton një horizont, një vizion dhe një emërues të përbashkët. Prandaj procesi është më i rëndësishëm se individi.
Nëse Partia Demokratike për arsyet e veta nuk vendos emrin tuaj si kandidaturë por një emër tjetër, ju do ta vazhdoni garën në mënyrë individuale?
Ilir Alimehmeti: Interesi publik është mbi interesin vetjak dhe sa kohë të bëhet fjalë për interesin publik unë do zgjedh interesin publik si kudo që të jetë, në politikë, jashtë politikës, në shëndetësi, jashtë shëndetësisë e në të gjitha format. Publiku është kryesori. Pra nëse këto forca mblidhen e zgjedhin një kandidat konsensual, kjo punë është e kryer dhe Tirana është e kthyer. Nëse këtë gjë nuk e arrin dot, atëherë rruga për të marrë Tiranën bëhet pothuajse e pamundur. E dinë të gjitha forcat këtë dhe unë shpresoj të kenë kthjellësinë dhe të kenë ndërgjegjen e pastër kundrejt qytetarit në këtë aspekt.
