Anija franceze “Abeille Marengo” u largua nga porti i Iraklios, në Kretë, pak pas orës 18:00 të së martës. Ajo do të kryejë kërkime nënujore përpara vendosjes së kabllos elektrike që do të lidhë Greqinë me Qipron. Nisja u bë pas disa ditësh përplasjesh diplomatike me Turqinë dhe debatesh të ashpra në Athinë për ndërhyrjen e Francës.
Destinacioni i anijes është zona detare në juglindje të ishullit Karpathos. Puna do të nisë me kalibrimin e pajisjeve dhe do të vijojë me matjet e përcaktuara në njoftimet detare të autoriteteve greke dhe qipriote. Studimi i shtratit të detit në këtë fazë shërben për të përcaktuar trasenë e kabllos.
Të lidhura
None found
Nëpërmjet projektit “Great Sea Interconnector”, rrjeti elektrik i Qipros synohet të lidhet me atë të Greqisë dhe, prej andej, me rrjetin evropian, duke i dhënë fund izolimit energjetik të ishullit. Kompanitë franceze kanë një rol të rëndësishëm: Nexans është kontraktori i kabllos, ndërsa Meridiam zotëron 66% të shoqërisë që zhvillon ndërlidhjen, krahas operatorit grek të transmetimit të energjisë, ADMIE.
Tensionet nisën pasi Greqia dhe Qiproja lëshuan një NAVTEX për aktivitetin e anijes. Ankaraja reagoi menjëherë me një kundërnjoftim, duke pretenduar se një pjesë e kërkimeve shtrihet në shelfin kontinental turk dhe se për to kërkohet autorizimi i saj.
Ministria e Jashtme turke deklaroi më 6 nëntor se aktiviteti i planifikuar ishte i paautorizuar, pasi procedura për marrjen e pëlqimit të Turqisë nuk kishte përfunduar. Athina, ndërkaq, e kundërshton pretendimin se këto punime kërkojnë leje nga Ankaraja.
Gjatë fundjavës pati kontakte diplomatike mes Parisit dhe Ankarasë, si edhe një notë verbale franceze lidhur me aktivitetin e anijes. Interpretimi i saj u kthye në qendër të debatit: pala greke thotë se dokumenti është njoftim, jo kërkesë për leje, kurse burime turke e paraqitën si një hap drejt marrjes së autorizimit nga Turqia.
Sipas raportimeve diplomatike, nota franceze informon për kërkimet pa mbajtur qëndrim për mosmarrëveshjet detare greko-turke. Më pas, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se çështja ishte zgjidhur dhe se gjithçka ishte në rregull, por nuk dha hollësi për përmbajtjen e mirëkuptimit.
Zhvillimet shkaktuan përplasje edhe në politikën e brendshme greke. Opozita kërkon të njihet me përmbajtjen e plotë të notës diplomatike. Socialistët e PASOK-ut pyesin nëse qeveria greke e dinte dhe e kishte miratuar më parë dokumentin, pse duhej një komunikim tjetër përveç NAVTEX-it dhe nëse Turqia mund ta përdorë atë në të ardhmen si precedent për pretendimet e saj. Edhe SYRIZA shprehu shqetësim për mbrojtjen e të drejtave sovrane greke.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u shpreh i bindur se udhëtimi i anijes do të përfundonte pa pengesa. Ai theksoi se autorizimet janë dhënë vetëm nga Greqia dhe Qiproja dhe se projekti është europian, me prani të fuqishme franceze. Kërkimet po rikthehen pranë ishullit Kasos, në një zonë ku punimet u ndërprenë gjatë verës së vitit 2024 mes tensioneve greko-turke. Me nisjen e anijes rifillon puna në terren, ndërsa mosmarrëveshja për juridiksionin detar mbetet e pazgjidhur.




