Trupi i një 24-vjeçareje nga Burkina Faso është gjetur brenda një valixheje në zonën e Shën Pandeleimonit, në Athinë. E reja ishte shpallur e zhdukur që prej 29 tetorit, ndërsa rrethanat e vdekjes së saj mbeten ende nën hetim.
Valixhen e pikasën në një trotuar, pranë koshave të mbeturinave, një 28-vjeçar, i cili pasi ndjeu një erë të rëndë njoftoi menjëherë policinë.
I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, gazetari Edmond Guri dha detaje mbi zbulimin e trupit. Sipas tij, ekspertiza mjekoligjore dyshon se vdekja kishte ndodhur rreth katër ditë përpara se valixhja të gjendej.
Gazetari bëri të ditur gjithashtu se trupi i 24-vjeçares ishte i lidhur, por nuk kishte shenja të dukshme dhune, sipas informacionit që ai përcolli. Shkaqet e vdekjes dhe rrethanat në të cilat ka humbur jetën e reja nuk janë bërë ende të ditura.
“Është një ngjarje që ka befasuar për mënyrën dhe rrethanat se si është zbuluar. Aq më tepër kur bëhet fjalë për trupin e pajetë të një femre. Është një tjetër rast femicidi në Greqi, një fenomen që sa vjen dhe rritet, në vend që të zvogëlohet”, u shpreh gazetari.
Sipas tij, trupi i vajzës është gjetur i lidhur dhe pa rroba, ndërsa deri më tani nuk janë konstatuar shenja të dukshme dhune. Partneri i saj, një 29-vjeçar, gjithashtu emigrant, ishte personi që kishte raportuar zhdukjen e saj. Ai është marrë në pyetje nga policia, por më pas është lënë i lirë, ndërsa hetimet vijojnë.
“Nuk përjashtohet as pista e xhelozisë apo e përdorimit të lëndëve narkotike. Partneri i saj është marrë në pyetje nga policia, por është lënë i lirë. Janë disa elemente që lënë dyshime, por deri tani nuk kemi të dhëna të konfirmuara për autorin apo rrethanat e sakta të vdekjes. Fakti që trupi është gjetur në një valixhe, në një vend të tillë, do të thotë se autorët mund të kenë vepruar në panik ose mund të jenë larguar me nxitim, pasi kanë kuptuar se mund të ishin pikasur nga dikush”, deklaroi Guri.
Gjatë intervistës në “Shqipëria Live”, Guri u ndal edhe te fenomeni i femicidit në Greqi, duke e cilësuar atë si një problem që kërkon vëmendje të vazhdueshme institucionale dhe jo vetëm reagime të përkohshme pas ngjarjeve të rënda.
“Problemi është se ngjarjet marrin vëmendje për një periudhë të shkurtër dhe më pas harrohen. Nuk duhet ta trajtojmë femicidin thjesht si një ngjarje që tërheq vëmendjen publike, por si një fenomen shoqëror që kërkon analizë dhe ndërhyrje konkrete nga ekspertët”, u shpreh Guri.
Gazetari u ndal gjithashtu te problematikat me identifikimin e viktimave emigrante dhe njoftimin e familjarëve, duke theksuar se në raste të tilla duhet të përfshihen ambasadat dhe konsullatat përkatëse.
“Autoritetet kanë detyrimin të kontaktojnë ambasadat ose konsullatat përkatëse. Kur një person identifikohet dhe nuk ka familjarë që mund të kontaktohen, duhet të njoftohet shteti i origjinës”, tha Guri.
Gjatë intervistës, Guri ngriti edhe shqetësimin për vështirësitë me të cilat përballen gratë emigrante për të marrë mbështetje institucionale. Ai theksoi se strukturat e ngritura për mbrojtjen e grave të dhunuara nuk kanë gjithmonë personel të specializuar dhe kapacitetet e nevojshme për t’iu përgjigjur rasteve të tilla.

