Juventusi ka nisur të shqyrtojë mundësinë e transferimit të mesfushorit të Napolit, Zambo Anguissa, i cili shihet si një prej përforcimeve të preferuara të trajnerit Luciano Spalletti për repartin e mesfushës.

Sipas raportimeve të “TuttoJuve”, trajneri italian dëshiron të përforcojë disa pozita në skuadër, përfshirë sulmin dhe krahun e majtë, por Anguissa është objektivi që ai e konsideron ideal për mesfushën.


Spalletti e njeh shumë mirë reprezentuesin e Kamerunit, pasi të dy kanë punuar së bashku te Napoli gjatë sezonit kur klubi napolitan fitoi titullin e kampionit në Serie A.

E ardhmja e Anguissas te Napoli mbetet e paqartë, pasi kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2027 dhe negociatat për vazhdimin e saj kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve financiare.

Mesfushori raportohet se kërkon një kontratë katërvjeçare me pagë prej gjashtë milionë eurosh në sezon, ndërsa Napoli i ka ofruar një marrëveshje njëvjeçare me pagë prej katër milionë eurosh, plus opsionin për vazhdimin e saj.

Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që kamerunasi të largohet që në afatin kalimtar të janarit. Megjithatë, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, nuk do të ishte aspak i gatshëm ta shiste një prej lojtarëve të tij te rivali direkt, Juventusi.

Një tjetër pengesë për klubin torinez janë kërkesat financiare të futbollistit, të cilat aktualisht konsiderohen përtej mundësive të tij.

Për këtë arsye, Juventusi mund të presë deri në verën e vitit të ardhshëm, kur Anguissa mund të transferohet si lojtar i lirë, në rast se nuk arrin marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Napolin./Telegrafi/