Formula 1/ Merret vendimi, konfirmohen garat e Katarit dhe Abu Dhabi Një shkarkim i kryer në mënyrë “praktike dhe të beftë”. Kështu e ka përshkruar Christian Horner momentin kur mori njoftimin për largimin nga Red Bull, pa dyshim një nga ngjarjet që ka tërhequr më shumë vëmendjen mediatike në historinë e fundit të Formula 1.
Ish-drejtuesi 52-vjeçar i skuadrës nga Milton Keynes qëndroi në krye të saj për 20 vjet, periudhë gjatë së cilës Red Bull fitoi 8 tituj botërorë për pilotë, 6 tituj për konstruktorë dhe regjistroi 124 fitore në Çmimet e Mëdha. Në një intervistë për The Athletic, Horner është rikthyer te largimi i tij në korrik 2025, duke reflektuar mbi raportet e pushtetit brenda skuadrës dhe duke zbuluar se çfarë do të nevojitej për një rikthim të mundshëm të tij në Formula 1. Fundi i “mbretërimit” të tij në krye të skuadrës erdhi menjëherë pas Çmimit të Madh të Britanisë, në vitin 2025. Vetëm pak ditë më parë, Horner kishte organizuar në shtëpinë e tij barbekynë tradicionale të fundjavës së garës, ku kishin marrë pjesë, mes të tjerëve, Helmut Marko dhe Laurent Mekies. Të hënën në mbrëmje, një ftesë për t’u paraqitur në Londër, me pretekstin se duhej të “diskutohej struktura e marketingut”, ndryshoi gjithçka. Sapo mbërriti në ndërtesë, Horner gjeti duke e pritur Helmut Markon, drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Oliver Mintzlaff, si dhe drejtuesen e burimeve njerëzore. Mbi tavolinë ishte vendosur komunikata për shtyp që njoftonte shkarkimin e tij nga detyrat operative.
‘Nuk e kisha menduar aspak se gjithçka do të trajtohej në një mënyrë kaq të drejtpërdrejtë dhe të beftë’– tregonHorner.
Arsyeja fillestare zyrtare fliste vetëm për dëshirën e kompanisë për të “ndjekur një drejtim tjetër”, pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
‘Vetëm pasi këmbëngula dhe thashë: ‘Duhet të ketë patjetër një arsye’, më thanë: ‘Red Bull Racing ishte shndërruar më shumë në Christian Horner Racing sesa në Red Bull Racing’-vijon rrëfimin e tij ish shefi i skuderisë austriake. I pyetur nëse e konsideronte të drejtë këtë vlerësim, drejtuesi britanik u ndal për të reflektuar: ‘Një skuadër duhet të ketë një lider që bie në sy. Por unë kam punuar gjithmonë për Red Bullin dhe gjithçka që bëja ishte në të mirë të skuadrës. Mendoj se kam arritur rezultate mjaft të mira-tha Horner
ÇËSHTJA E PUNONJËSES — Pas shkarkimit të Hornerit, për të cilin ai përfitoi mbi 67 milionë paund (88,5 milionë dollarë), sipas bilancit financiar të vitit 2025 të Red Bull Technology Limited, fshihej një ristrukturim i mirëfilltë i pushtetit brenda kompanisë. Sipas Hornerit, ky ndryshim nisi të merrte formë pas vdekjes së bashkëthemeluesit Dietrich Mateschitz, në tetor 2022. Nëse më parë struktura britanike e Red Bullit në Milton Keynes gëzonte një autonomi të konsiderueshme, me kalimin e kohës kompania mëmë në Austri nisi të synonte një menaxhim më të centralizuar. ‘Mendoj se ekzistonte thjesht ndjesia se në Britaninë e Madhe kishte shumë përqendrim të kontrollit dhe ata dëshironin ta ndryshonin këtë. Unë e ndieja se ky moment po afrohej’– shpjegoi Horner.
Periudha e fundit e Christian Horner në krye të skuadrës u shënua edhe nga akuzat për sjellje të papërshtatshme, të ngritura në shkurt 2024 nga një punonjëse e ekipit. Ai i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, ndërsa dy hetime të veçanta dhe të pavarura ligjore përfunduan me mbylljen e çështjes. Pavarësisht tensioneve publike me Jos Verstappen, i cili kishte paralajmëruar se skuadra mund të shpërbëhej nëse Horner do të qëndronte në detyrë, ky i fundit këmbëngul se përparësia e tij kishte qenë gjithmonë ajo që ndodhte në pistë. ‘Ishte një situatë e vështirë për të gjithë të përfshirët, por vëmendja ime mbeti e përqendruar te ajo që po bënim në pistë. Sa herë që hyja në garazh, rrethohesha nga njerëz, objektivi i vetëm i të cilëve ishte të luftonin për të mbrojtur titullin e katërt botëror. Kjo ishte ajo që më motivonte të shihja përpara, hap pas hapi’-tha shpreh ai.
PROJEKTET E SË ARDHMES —Përsa i përket së ardhmes, Horner është lidhur me disa projekte, mes tyre interesimi për të blerë një pjesë të aksioneve të Alpine, mundësi që më pas u bllokua nga Renault, si dhe ambiciet e prodhuesit kinez BYD. Ai ka zhvilluar gjithashtu disa takime me investitorë amerikanë. Mes qëndrimeve mbështetëse të Zak Broën (McLaren) dhe Mohammed Ben Sulayem (FIA), si dhe qasjes më të rezervuar të Toto ëolff (Mercedes), Horner ka bërë të qartë pozicionin e tij. ‘Kam hequr dorë nga përpjekjet për t’u pëlqyer të gjithëve’- tha ai, duke shtuar: ‘Kam përshtypjen se brenda këtij sporti ekziston dëshira për të më parë sërish të rikthehem, gjë që më bën të ndihem shumë i vlerësuar’.
Nëse krijohen kushtet e duhura për një aventurë të re, kushti kryesor për të do të mbetet pasioni dhe një drejtim i përbashkët i projektit’. Është një angazhim jashtëzakonisht i madh dhe, nëse vendos të bësh sakrifica të tilla, duhet ta bësh sepse beson te projekti, sepse dëshiron vërtet dhe sepse i përkushtohesh me gjithë zemër’-tha Horner që foli edhe për bilancin e tij në Formula 1 pa e fshehur krenarinë-Kam fituar pothuajse një të tretën e garave ku kam marrë pjesë. Nuk dua të rikthehem thjesht për të qenë pjesë e garës’.
Top Channel