Dy persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri pasditen e së martës në Gjakovë. Policia ka arrestuar një person të dyshuar për ngjarjen, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Rasti u raportua rreth orës 16:40, pasi Policia mori njoftim nga Qendra Emergjente e Spitalit të Gjakovës se dy persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore për plagë të dyshuara nga arma e zjarrit.
Pas marrjes së informacionit, njësitë policore shkuan në vendngjarje për të kryer veprimet hetimore. Gjatë ekzaminimit u gjetën dhe u sekuestruan tri gëzhoja dhe një armë e gjatë automatike.
Personi i dyshuar është arrestuar, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e ngjarjes.

